Shpërthen bombë jashtë shtëpisë së një gazetari italian në Romë
Një bombë shpërtheu jashtë shtëpisë së gazetarit italian, Sigfrido Ranucci pranë Romës, duke dëmtuar dy automjete, transmeton Anadolu.
Ranucci, prezantuesi i programit televiziv investigativ “Report” tha në Instagram se “dy pajisje shpërthyese shkatërruan automjete të parkuara para një shtëpie në Campo Ascolano, pak jashtë Romës”, duke shtuar se “shpërthimet ishin aq të fuqishme sa tronditën të gjithë lagjen”.
Një nga automjetet i përkiste vajzës së tij, e cila ishte larguar nga zona vetëm 20 minuta para shpërthimit.
Policia, oficerët e DIGOS dhe zjarrfikësit u dërguan në vendngjarje ndërsa prokurorët e antimafias në Romë nisën hetime për incidentin, duke e trajtuar atë si dëm kriminal nga metodat mafioze, raportoi agjencia italiane e lajmeve ANSA.
“Kjo ishte një pajisje rudimentare, por tani duhet të përcaktojmë llojin e eksplozivit”, tha Ranucci duke shtuar se ai dhe familja e tij janë përballur me kërcënime të shumta gjatë viteve. Gazetari ka jetuar nën mbrojtjen e policisë që nga viti 2014 pas kërcënimeve me vdekje të lidhura me hetimet e tij për krimin e organizuar.
Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto e denoncoi sulmin si “një akt shumë serioz, frikacak dhe të papranueshëm”, duke thënë se ai “godet vetë lirinë e informacionit”. Shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme si në automjete ashtu edhe në pronën aty pranë, por nuk rezultoi në të lënduar.
Ranucci, një gazetar i shquar investigativ, është njohur prej kohësh për ekspozimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Itali. Në muajt e fundit, ai raportoi se ka marrë kërcënime të reja, përfshirë zbulimin e plumbave P38 jashtë shtëpisë së tij dhe përpjekje të dyshimta për mbikëqyrje.

