Shorti i EHF Cup vendos KH Çairin përballë skuadrës sllovene Mlinotest

Shorti i hedhur në Vjenë për raundin e dytë të EHF European Cup për femra ka vendosur KH Çairin përballë një kundërshtari me përvojë dhe traditë në arenën ndërkombëtare – Mlinotest Ajdovščina nga Sllovenia.
Klubi slloven, i themeluar në vitin 1955, është një emër i njohur në hendbollin evropian për historinë dhe qëndrueshmërinë e tij në garat ndërkombëtare.
Vajzat nga Çairi, të cilat edicionin e kaluar bënë histori duke arritur deri në fazën e 1/8 së finales, do të synojnë ta përsërisin suksesin – ose pse jo, të shkojnë edhe më larg. Përballja me një skuadër të fortë si Mlinotest paraqet një sfidë të madhe, por jo të pamundur për skuadrën shkupjane.
Datat e ndeshjeve janë si më poshtë:
-
Ndeshja e parë: 26/27 shtator
-
Ndeshja e kthimit: 30 shtator / 4 tetor
Kjo përballje do të shënojë pjesëmarrjen e katërt radhazi të KH Çairit në arenën evropiane, duke dëshmuar jo vetëm kontinuitetin dhe ambicien, por edhe përfaqësimin dinjitoz të hendbollit shqiptar në nivel ndërkombëtar.
Skuadra e Çairit mbetet një prej shpresave më të mëdha për sukses sportiv në qytet dhe në vend, dhe një rezultat pozitiv në këtë përballje do të shkruante një tjetër faqe të artë në historinë e klubit.