Shkupit i zbresin gjigantët e Kırkpınar-it, Balaban dhe Zeybek, nesër spektakël historik i mundjes tradicionale
Shkupi sot mirëpriti dy emra kolosalë të mundjes tradicionale turke. Në kryeqytet kanë mbërritur başpehlivanët e Turqisë, fituesit e dyfishtë të turneut madhështor të Edirnes “Kırkpınar”, İsmail Balaban dhe Yusuf Can Zeybek. Balaban e ka fituar këtë turne të jashtëzakonshëm duke u shpall “başpehlivan” në vitet 2013 dhe 2017, ndërsa Zeybek në 2023 dhe 2024.
Bëhet fjalë për emrat më të mëdhenj që kanë ardhur ndonjëherë për të marrë pjesë në një turne të pehlivanëve në vendin tonë, pasi janë fitues të evenimentit që jozyrtarisht cilësohet edhe si Botërori i Pehlivanëve apo kulmi i mundjes tradicionale.
Të gjithë këta kampionë, bashkë edhe me mundës tjerë nga Azerbajxhani, Turqia, Bullgaria, Greqia e trevat tona, janë bashkuar në Shkup falë organizatorit të këtij eventi, Tatin Qehaja, i cili u bën thirrje të gjithë dashamirëve të këtij sporti të lashtë që nesër nga ora 10:00 të jenë të pranishëm në QRS Kale, për të qenë dëshmitarë të një ngjarjeje që do të hyj në histori.

