Shkon mbi 1.000 numri i të vdekurve nga shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet në Pakistan që nga 26 qershori

Shkon mbi 1.000 numri i të vdekurve nga shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet në Pakistan që nga 26 qershori

Numri i të vdekurve nga shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet në Pakistan që nga 26 qershori ka tejkaluar shifrën 1.000, ndërsa mbi 1.000 persona të tjerë janë lënduar, thanë autoritetet, transmeton Anadolu.

Sipas Autoritetit Kombëtar të Menaxhimit të Fatkeqësive (NDMA), të paktën 504 persona kanë vdekur në provincën veriperëndimore Khyber Pakhtunkhwa, 300 në provincën verilindore Punjab, 80 në Sindh në jug, 30 në provincën jugperëndimore Balochistan, 41 në Gilgit-Baltistan, 39 në Kashmirin e administruar nga Pakistani, i njohur gjithashtu si Azad Jammu dhe Kashmir, dhe nëntë në Islamabad.

Nga 1.002 të vdekurit, 274 kanë qenë fëmijë, 163 gra dhe 565 burra.

Përmbytjet dhe reshjet e dendura kanë shkaktuar gjithashtu dëme të konsiderueshme në infrastrukturë, me mbi 12.000 shtëpi të dëmtuara, përfshirë 4.128 të shkatërruara plotësisht, dhe 6.509 kafshë shtëpiake të ngordhura në gjithë vendin.

Sezoni i musoneve ka shkaktuar shkatërrime të gjera në gjithë vendin, me mijëra të zhvendosur në provincat Punjab, Sindh dhe Khyber Pakhtunkhwa.

Përmbytja që vazhdon në Punjab ka prekur mbi 2,4 milionë njerëz, ndërsa 2,6 milionë janë shpëtuar tashmë nga zonat e prekura nga përmbytjet.

Përmbytjet shkatërruese, më të këqijat në historinë e vendit, kanë zhvendosur po ashtu dhjetëra mijëra banorë në pjesët e poshtme të provincës jugore Sindh.

Lumi i fuqishëm Indus po përjeton përmbytje me nivele nga të larta në mesatare, sipas Divizionit të Parashikimit të Përmbytjeve (FFD).

Për herë të parë në historinë 78-vjeçare të Pakistanit, tre lumenjtë lindorë – Sutlej, Jhelum dhe Chenab – po përballen në të njëjtën kohë nivele përmbytjeje “jashtëzakonisht” të larta, sipas autoriteteve lokale.

Zyrtarët paralajmërojnë se përmbytjet aktuale janë më të këqijat që nga përmbytjet katastrofike të vitit 2022, që u morën jetën më shumë se 1.700 njerëzve, përmbytën një të tretën e vendit dhe shkaktuan rreth 32 miliardë dollarë dëme në infrastrukturë.

MARKETING