Shitën arm’atime në Tajvan, Kina sanksionon firmat ushtarake amerikane
Pekini ka vendosur sanksione ndaj më shumë se 12 firmave ushtarake amerikane dhe drejtuesve të lartë në përgjigje të miratimit të fundit të shitjes së armëve nga Uashingtoni në Tajvan, njoftoi të enjten Ministria e Jashtme kineze.
Javën e kaluar, Departamenti i Shtetit i SHBA autorizoi 385 milionë dollarë shtesë në shitje ushtarake në Tajvan, pas një pakete deri në 2 miliardë dollarë të miratuar në tetor, të shpallur një muaj pas një marrëveshjeje prej 567 milionë dollarësh e cila u nënshkrua në shtator.
Marrëveshja e fundit “shkel seriozisht” parimin e “Një Kine”, “ndërhyn rëndë në punët e brendshme të Kinës dhe dëmton seriozisht” sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, tha në një konferencë shtypi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Lin Jian.
Ndërsa SHBA zyrtarisht i përmbahet politikës së një Kine, duke njohur Tajvanin si pjesë të Kinës, ajo njëkohësisht angazhohet në bashkëpunim ushtarak me qeverinë në Taipei.
Në përgjigje të marrëveshjes së fundit të armëve, asetet e 13 kompanive amerikane të mbrojtjes në Kinë do të ngrihen nga e enjtja e tutje dhe firmave do t’u ndalohet të angazhohen në tregti dhe bashkëpunim me subjekte dhe individë kinezë, tha Ministria e Jashtme. Të njëjtat masa do të zbatohen për gjashtë drejtuesit e lartë të listuar, të cilëve gjithashtu do t’u refuzohet viza ose hyrja në Kinë.