Shirat e rrëmbyeshëm në Pakistan – 63 persona humbën jetën, shumë fluturime u anuluan

Shirat e rrëmbyeshëm në Pakistan – 63 persona humbën jetën, shumë fluturime u anuluan

Si pasojë e reshjeve të dendura që kanë rënë gjatë 24 orëve të fundit në provincën Punjab të Pakistanit, kanë humbur jetën të paktën 63 persona dhe 290 të tjerë janë lënduar.
Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare për Menaxhimin e Katastrofave, shumica e viktimave kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së ndërtesave, ndërsa të tjerët janë mbytur ose janë goditur nga rryma elektrike.

Autoritetet në qytetin Rawalpindi kanë paralajmëruar banorët që të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa ata që jetojnë pranë lumit të fryrë që kalon nëpër qytet janë udhëzuar të evakuohen.

Përmbytjet kanë mbyllur disa autostrada të shpejta në mbarë Punjab-in dhe dhjetëra fluturime janë anuluar, raporton bbc.
Të enjten, kryeministrja e provincës, Maryam Nawaz, deklaroi se në disa zona është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.

“Institucionet shtetërore po punojnë me përkushtim maksimal,” shkroi ajo në një postim në platformën X, duke i bërë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e sigurisë.

Janë angazhuar edhe helikopterë ushtarakë mbi zonat e përmbytura. Autoritetet e Punjab-it paralajmëruan se priten reshje të tjera shiu dhe përmbytje të shpejta gjatë fundjavës, ndërsa mijëra punonjës të shpëtimit janë vendosur në gatishmëri në të gjithë provincën.

Në vitin 2022, shirat përmbytën një të tretën e vendit dhe shkaktuan vdekjen e 1700 personave. Ato gjithashtu i shkaktuan Pakistanit një dëm ekonomik mbi 30 miliardë dollarë.

MARKETING