Shira të rrëmbyeshëm dhe përmbytje në kryeqytetin kinez, të paktën 30 të vdekur

Të paktën 30 persona kanë humbur jetën në kryeqytetin e Kinës ndërsa reshjet e dendura të shiut goditën Pekinin, duke shkaktuar përmbytje të gjera, dëmtime në infrastrukturë dhe evakuime masive, konfirmuan zyrtarët, transmeton Anadolu.
Midis të vdekurve, 28 u raportuan në rrethin periferik Miyun, zona më e goditur ndërsa dy viktima në rrethin Yanqing, raportoi Rrjeti Televiziv Global i Kinës (CGTN) shtetëror, duke cituar zyrtarët lokalë.
Shiu i dendur, i cili filloi disa ditë më parë, ka dëmtuar 31 rrugë dhe ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në 136 fshatra, duke goditur stacione të shumta bazë dhe duke ndërprerë shërbimet thelbësore.
Pekini regjistroi një mesatare prej 165.9 milimetrash reshjesh, por Miyun mbajti peshën kryesore me një sasi të jashtëzakonshme prej 543.4 milimetrash, më e larta në rajon.
Deri më tani, 80.332 persona janë zhvendosur, me rrethet Miyun, Huairou dhe Fangshan që kanë numrin më të lartë të evakuimit. Autoritetet kanë nisur operacione për kontrollin e përmbytjeve dhe ndihmën emergjente ndërsa dronët po vendosen për të shpërndarë furnizime jetësore në zonat e izoluara.
Ne lagjen Huairou të qyteti Liulimiao, ekipet e shpëtimit hodhën nga ajri mbi 3.000 artikuj, përfshirë ujë në shishe, bukë dhe salçiqe. Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës tha se ka ndarë 200 milionë juanë (27.9 milionë dollarë) për të ndihmuar përpjekjet e ndihmës në Pekin.