Sherr brenda koalicionit, kryeministri letonez jep dorëheqjen

Sherr brenda koalicionit, kryeministri letonez jep dorëheqjen

Kryeministri letonez, Krisjanis Karins ka dhënë dorëheqjen këtë të hënë, duke fajësuar raportet jo shumë të mira mes partive në koalicion. Ai fajësoi partnerët e koalicionit “se bllokojnë punën për prosperitet dhe rritje ekonomike”.

“Këtë të enjte do t’ia paraqes presidentit dorëheqjen time dhe të këtij kabineti”, tha ai në një konferencë për shtyp.

Partia e qendrës së djathtë të Unitetit të Karins fitoi zgjedhjet kombëtare në tetor 2022, duke fituar 26 nga 100 vendet në një parlament, ku përfaqësohen shtatë parti.

Partia e Karins qeveriste vendin e Bashkimit Evropian prej 1.9 milionë banorësh, me mbështetjen e Aleancës Kombëtare konservatore dhe Listës së Bashkuar të partive më të vogla duke i dhënë atij një shumicë të ngushtë parlamentare.

Krahas fqinjëve të saj baltik, Lituanisë dhe Estonisë, Letonia është zëri kryesor në shtytjen e Bashkimit Evropian dhe NATO-s për të rritur presionin ndaj Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë.

MARKETING