Shërbimet postare evropiane ndalojnë dërgesat në SHBA pasi përfundon përjashtimi nga tarifat

Shërbimet postare evropiane ndalojnë dërgesat në SHBA pasi përfundon përjashtimi nga tarifat

Operatorët e shërbimeve postare në të gjithë Evropën, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë, Austrinë, Suedinë, Italinë, Spanjën dhe Holandën, i janë bashkuar një numri gjithnjë e në rritje të vende ve që kanë pezulluar dërgesat e pakove drejt SHBA-së, pasi administrata e presidentit Donald Trump hoqi një përjashtim të vjetër tatimor mbi importet me vlerë të ulët, transmeton Anadolu.

Duke filluar nga 29 gushti, SHBA-ja do të pezullojë rregullin “de minimis”, i cili lejonte që pakot me vlerë më të vogël se 800 dollarë të hynin në vend pa tarifa doganore dhe me dokumentacione minimale.

Ndryshimi do të thotë se shumica e pakove tregtare do t’i nënshtrohen tarifave doganore, një masë që ka shkaktuar pezullime të gjera shërbimesh në mbarë botën. Letrat, dokumentet dhe dhuratat nën 100 dollarë të shkëmbyera mes individëve privat do të mbeten pa tarifa.

‘Deutsche Post’ dhe ‘DHL’ të Gjermanisë thanë se do të ndalojnë pranimin e pakove nga klientët biznes për në SHBA duke filluar nga 22 gushti, duke përmendur “çështje të pazgjidhura” mbi kërkesat për të dhënat doganore dhe mënyrën e mbledhjes së tarifave.

“Çështje kyçe mbeten ende të pazgjidhura, veçanërisht në lidhje me mënyrën dhe nga kush do të mblidhen tarifat doganore në të ardhmen, cilat të dhëna shtesë do të kërkohen dhe si do të realizohet transmetimi i të dhënave te Doganat dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së”, tha ‘DHL’.

‘La Poste’ e Francës gjithashtu njoftoi se po pezullon shumicën e dërgesave, duke theksuar se “nuk u dha kohë operatorëve postar për t’u organizuar” dhe për të bërë ndryshimet e nevojshme që të jenë “në përputhje me rregullat e reja”.

Kompania tha se vetëm dhuratat nën 100 dollarë të shkëmbyera midis individëve privat do të vazhdojnë të dorëzohen.

‘Royal Mail’ i Mbretërisë së Bashkuar tha se do të tërhiqet nga shërbimet e eksportit drejt SHBA-së për bizneset duke filluar nga e marta, ndërsa operatori postar kombëtar i Austrisë konfirmoi se do të ndalojë dërgesat nga 26 gushti për shkak të pasigurisë mbi procedurat e reja të doganës.

‘PostNord’, që operon në Suedi dhe vende të tjera nordike, tha se do të pezullojë dërgesat drejt SHBA-së dhe Porto Rikos për arsye të ngjashme.

Operatorët postar në disa vende të rajonit Azi-Paqësor, përfshirë Zelandën e Re (NZ Post), Korenë e Jugut (Korea Post) dhe Australinë (Australia Post), gjithashtu kanë njoftuar se do të ndalojnë dërgesat drejt SHBA-së para hyrjes në fuqi të rregullave të reja.

MARKETING