Shefi i OKB-së u kërkon Izraelit dhe Hamasit t’u “përmbahen angazhimeve të tyre” në marrëveshjen e armëpushimit

Shefi i OKB-së u kërkon Izraelit dhe Hamasit t’u “përmbahen angazhimeve të tyre” në marrëveshjen e armëpushimit

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, përshëndeti marrëveshjen e armëpushimit të shpallur në Rripin e Gazës, duke u bërë thirrje të gjitha palëve që “t’u përmbahen angazhimeve të tyre”, raporton Anadolu.

“Mirëpres njoftimin e marrëveshjes për të siguruar një armëpushim dhe lirimin e pengjeve në Gaza”, u tha Guterres gazetarëve në selinë e OKB-së në New York, duke përgëzuar Egjiptin, Katarin dhe SHBA-në për përpjekjet e tyre diplomatike drejt arritjes së marrëveshjes.

Guterres u kërkoi “të gjitha palëve përkatëse t’u përmbahen angazhimeve të tyre dhe të sigurojnë që kjo marrëveshje të zbatohet plotësisht” dhe theksoi se “përparësia jonë tani duhet të jetë lehtësimi i vuajtjeve të jashtëzakonshme të shkaktuara nga ky konflikt”.

Duke shprehur gatishmërinë e OKB-së për të ofruar mbështetje për zbatimin e marrëveshjes, ai tha: “Është e domosdoshme që ky armëpushim të heqë pengesat e rëndësishme të sigurisë dhe politike për dërgimin e ndihmave në gjithë Gazën, në mënyrë që të mund të mbështesim një rritje të madhe të ndihmës humanitare urgjente jetëshpëtuese”.

Duke vënë në dukje “nivelet katastrofike” të situatës humanitare në Gaza, Guterres u kërkoi të gjitha palëve të ofrojnë “ndihmë humanitare të shpejtë dhe të sigurt për të gjithë civilët në nevojë”.

Guterres theksoi më tej se marrëveshja është “një hap i parë kritik” drejt arritjes së qëllimeve më të gjera në këtë konflikt.

“Ne duhet të mobilizojmë të gjitha përpjekjet për të çuar përpara qëllime më të gjera, duke përfshirë ruajtjen e unitetit, afërsisë dhe integritetit të territorit të pushtuar palestinez”, tha ai.

Ai theksoi rëndësinë e ‘qeverisjes së unifikuar palestineze” për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm dhe u bëri thirrje të gjithëve që ta shfrytëzojnë marrëveshjen si një mundësi për një proces politik.

“I nxis palët dhe të gjithë partnerët përkatës që të shfrytëzojnë këtë mundësi për të krijuar një kalim të besueshëm politik për një të ardhme më të mirë për palestinezët, izraelitët dhe rajonin më të gjerë, duke i dhënë fund pushtimit dhe duke arritur një zgjidhje të negociuar me dy shtete, me Izraelin dhe Palestinën krah për krah në paqe dhe siguri, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, tha ai.

MARKETING