Shefi i OKB-së thirrje vendeve anëtare të rrisin mbështetjen për operacionet paqeruajtëse

Shefi i OKB-së thirrje vendeve anëtare të rrisin mbështetjen për operacionet paqeruajtëse

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u bëri thirrje sot shteteve anëtare të forcojnë mbështetjen e tyre për operacionet ndërkombëtare paqeruajtëse, duke theksuar një mungesë kritike fondesh që rrezikon këto misione jetësore, raporton Anadolu.

MARKETING

“Operacionet e paqes mund të kenë sukses vetëm kur mbështeten nga mandate të forta dhe kontribute të qarta, të parashikueshme dhe të qëndrueshme, si financiare ashtu edhe logjistike”, tha Guterres në një takim ndërkombëtar në Berlin që ka për qëllim sigurimin e mjeteve për operacionet paqeruajtëse të OKB-së.

“Fatkeqësisht, operacionet paqeruajtëse janë përballur me probleme serioze të likuiditetit. Është absolutisht thelbësore që të gjitha shtetet anëtare të respektojnë detyrimet e tyre financiare, duke paguar kontributet e tyre plotësisht dhe në kohë”, tha ai.

Guterres gjithashtu nënvizoi se operacionet e paqes kërkojnë zgjidhje politike për të pasur sukses dhe u bëri thirrje shteteve anëtare të rrisin mbështetjen e tyre për zgjidhje të tilla në të gjitha misionet paqeruajtëse të OKB-së.

“Ndjekja e këtyre zgjidhjeve politike kërkon mjete të përshtatshme për të kryer operacionet tona, përfshirë mbështetje të unifikuar politike nga shtetet anëtare, lidership të fortë, trupa të trajnuara mirë, pajisje dhe teknologji”, tha ai.

“Këto mund të forcojnë operacionet tona dhe të bëjnë një ndryshim të vërtetë në jetën e njerëzve. Dhe kjo kërkon mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara në terren”, shtoi Guterres.

Gjermania po pret një takim dyditor ministror paqeruajtës të OKB-së që filloi sot, duke mbledhur ministra të mbrojtjes dhe të jashtëm, së bashku me zyrtarë të lartë nga më shumë se 120 vende. Konferenca synon të formësojë të ardhmen e operacioneve paqeruajtëse të OKB-së dhe të sigurojë angazhime politike, financiare dhe ushtarake nga shtetet anëtare.

MARKETING