Shefi i OKB-së thirrje për “armëpushim të plotë humanitar” në Gaza
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, theksoi se dialogu i cili rezultoi me “pauzë humanitare” në Gaza duhet të shndërrohet në “armëpushim të plotë humanitar”, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate nga zyra e zëdhënësit të OKB-së, Guterres, duke theksuar se shtatë javët e konfliktit dhe humbjet e tmerrshme të jetëve në Gaza kanë tronditur botën, tha: “Në katër ditët e fundit armët kanë heshtur. Pamë pengjet izraelitë dhe të huaj që liroheshin nga Hamasi dhe të burgosurit palestinezë që liroheshin nga burgjet izraelite”.
Ai falënderoi Katarin, Egjiptin dhe ShBA-në për kontributin e tyre në marrëveshjen e arritur, duke konfirmuar çdo lloj mbështetjeje të OKB-së në këtë kuadër.
Guterres rikujtoi se gjatë katër ditëve janë rritur ndihmat e OKB-së në Gaza dhe kanë arritur edhe në pjesën veriore. “Por kjo ndihmë nuk mbulon nevojat e 1,7 milion njerëzve të zhvendosur. Tragjedia humanitare në Gaza përkeqësohet çdo ditë”, u shpreh Guterres.
“Dialogu që çoi në pajtim duhet të vazhdojë dhe të shndërrohet në një armëpushim të plotë humanitar për të mirën e të gjithë njerëzve të Gazës, Izraelit dhe rajonit”, shtoi Guterres, duke përsëritur thirrjen për lirimin pa kusht dhe të menjëhershëm të pengjeve.
Guterres, duke theksuar se vendet duhet të përdorin ndikimin e tyre për t’i dhënë fund këtij konflikti të tmerrshëm, nënvizoi rëndësinë e zgjidhjes me dy shtete për të ardhmen e rajonit.