Shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut dënon sulmin e Izraelit në Katar

Shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk dënoi të martën sulmin e Izraelit ndaj negociatorëve të Hamasit në Katar, duke e quajtur atë “shkelje tronditëse të së drejtës ndërkombëtare, sulm ndaj paqes dhe stabilitetit rajonal dhe goditje kundër integritetit të proceseve të ndërmjetësimit dhe negociatave në të gjithë botën”, raporton Anadolu.
Duke folur gjatë një debati urgjent në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në Gjenevë, Turk tha se sulmi i 9 shtatorit “shkeli të drejtën për jetë sipas ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut dhe parimet e ligjit ndërkombëtar humanitar”. Ai shtoi se shënjestrimi i palëve të përfshira në ndërmjetësim minoi rolin e Katarit si ndërmjetës paqeje.
“Është sulm ndaj përpjekjeve globale për të zgjidhur konfliktet në mënyrë paqësore”, theksoi ai.
Turk tha se sulmi përkoi me një urdhër të ri izraelit për zhvendosjen që prekte një milion njerëz në qytetin e Gazës dhe miratimin nga qeveria të projektit të vendbanimeve “E1” pranë Kudsit Lindor, të cilin ai tha se “po e sillte zgjidhjen me dy shtete gjithnjë e më afër një pike pa kthim”.
Ai u bëri thirrje shteteve anëtare të ndalojnë rrjedhën e armëve drejt Izraelit që rrezikojnë të shkelin ligjet e luftës, duke thënë: “Shtetet anëtare nuk mund të presin më gjatë”.
Duke iu drejtuar debatit, përfaqësuesja e BE-së, Deike Potzel tha se blloku shpreh solidaritetin e tij të plotë me Katarin, duke e përshkruar vendin e Gjirit si “partnerin tonë strategjik, i cili së bashku me Egjiptin dhe SHBA-në luan rol vendimtar si ndërmjetës i konfliktit në Gaza”.
Ajo theksoi se fokusi i bashkësisë ndërkombëtare duhet të mbetet “në arritjen e një armëpushimi, lirimin e të gjithë pengjeve dhe qasjen e papenguar të ndihmës humanitare në Gaza”, duke riafirmuar mbështetjen e bllokut për rolin e vazhdueshëm ndërmjetësues të Katarit.
“Ne i nxisim të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim që rrezikon kanalet e ndërmjetësimit dhe stabilitetin rajonal dhe të mbeten të përkushtuara ndaj zgjidhjes me dy shtete”, tha Potzel.