Shefi i OKB-së dënon vrasjen nga Izraelit të gazetarëve të Al Jazeera në Gaza

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka dënuar vrasjen nga Izraeli të gjashtë gazetarëve në Rripin e Gazës, si dhe ka kërkuar një “hetim të pavarur dhe të paanshëm”, transmeton Anadolu.
“Dje, kolegët e miqve tanë të Al Jazeera këtu që punonin në Gaza ishin përsëri viktima të konfliktit”, tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, gjatë një konference për media, duke përcjellë dënimin e shefit të OKB-së për “vrasjen e gjashtë gazetarëve palestinezë në një sulm ajror izraelit” dje në Qytetin Gaza.
“Këto vrasje të fundit nxjerrin në pah rreziqet ekstreme me të cilat gazetarët vazhdojnë të përballen kur mbulojnë këtë konflikt të vazhdueshëm”, tha ai.
Duke theksuar se Guterres “bën thirrje për një hetim të pavarur dhe të paanshëm për këto vrasje të fundit”, Dujarric kujtoi se “të paktën 242 gazetarë janë vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës”.
Duke theksuar nevojën për të respektuar gazetarët dhe punonjësit e medias, Dujarric deklaroi më tej se punonjësit e medias “duhet të mbrohen” dhe duhet t’u lejohet të punojnë “pa frikë dhe pa ngacmime”.
I pyetur se si mund të bëhet një hetim për vrasjen e gazetarëve në mes të konfliktit të vazhdueshëm, Dujarric tha se “përgjegjësia tragjikisht kërkon kohë, veçanërisht në konflikt”.
“E kemi parë në konflikte të tjera të fundit, ku ndonjëherë duhet shumë kohë për të gjetur përgjegjësi”, tha ai.
Duke kërkuar respekt për Konventat e Gjenevës, Dujarric tha se “sekretari i përgjithshëm mendon se ky hetim duhet të identifikojë çdo autor të vrasjes së gazetarëve”. Ai përsëriti nevojën për përgjegjësi.
“Duhet të ketë përgjegjësi personale për atë që ka ndodhur në këtë konflikt, për atë që po ndodh në konflikte të tjera që po shohim në të gjithë botën”, tha ai.
I pyetur se si Izraelit i “lejohet të shpëtojë pa u ndëshkuar” me vrasjen e gazetarëve, Dujarric përsëriti nevojën për përgjegjësi.
Sipas Zyrës së Medias së Qeverisë së Gazës, gazetarët e Al Jazeera-s, Anas al-Sharif dhe Mohamed Qraiqea, u vranë mbrëmë, së bashku me tre operatorë kamerash të të njëjtit rrjet dhe një reporter të pavarur vendas, në një sulm izraelit që shënjestroi një tendë gazetarësh pranë Spitalit Al-Shifa në qytetin perëndimor të Gazës.
Izraeli po përballet me dënime në rritje për luftën gjenocidale në Gaza, ku ka vrarë të paktën 61.500 palestinezë që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake e ka shkatërruar enklavën dhe e ka sjellë atë në prag të urisë.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.