Shefi i OKB-së dënon “hyrjen e paligjshme” të forcave izraelite në qendrën shëndetësore të UNRWA-s
Danimarka fillon vendosjen e pajisjeve ushtarake dhe trupave të avancuara në Grenlandë, duke përfshirë njësi logjistike për t’u përgatitur për vendosje më të mëdha forcash mes shqetësimeve për sigurinë në Arktik.
Avionët dhe asetet ushtarake po mbërrijnë për të forcuar praninë e Danimarkës në Arktik dhe për të operuar në kushte unike me aleatët e NATO-s.
Kreu i OKB-së dënoi “fuqishëm” veprimet e Izraelit në Kudsin Lindor të pushtuar, pas asaj që ai e përshkroi si një “hyrje të paligjshme” në një objekt të Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) dhe një vendimi për mbylljen e një qendre kyç shëndetësore, transmeton Anadolu.
“Sekretari i Përgjithshëm (Antonio Guterres) dënon fuqishëm hyrjen e paligjshme të autoriteteve izraelite më 12 janar në një pronë të Kombeve të Bashkuara në Kudsin Lindor të pushtuar, Qendrën Shëndetësore të UNRWA-së në Kuds, si dhe urdhrin për mbylljen e saj të përkohshme”, tha zëdhënësi i tij, Farhan Haq, në një deklaratë.
Në deklaratë thuhet se Guterres është “gjithashtu thellësisht i shqetësuar që UNRWA është njoftuar se ofruesit e shërbimeve komunale së shpejti do të ndërpresin furnizimin me energji elektrike dhe ujë për disa objekte të UNRWA-s në Kudsin Lindor të pushtuar”.
Duke rikujtuar detyrimet e Izraelit sipas së drejtës ndërkombëtare, Haq shtoi se Guterres “shpreh keqardhje të thellë që autoritetet izraelite kanë vazhduar të ndërmarrin veprime të mëtejshme në kundërshtim me detyrimet e tyre sipas së drejtës ndërkombëtare, përfshirë Konventën për Privilegjet dhe Imunitetet e Kombeve të Bashkuara”.
Pas një ligji të miratuar nga Knesseti më 31 dhjetor 2025, autoritetet palestineze raportuan se qeveria izraelite të martën filloi të urdhërojë ndërprerjen e energjisë elektrike dhe ujit për ndërtesat e operuara nga UNRWA në Kudsin Lindor të pushtuar.
Në vitin 2024, Knesseti miratoi legjislacion që ndalon aktivitetet e kësaj agjencie të OKB-së në Izrael, duke përmendur pretendime se disa punonjës të UNRWA-s ishin të përfshirë në ngjarjet e 7 tetorit 2023, akuza që agjencia i ka mohuar.
OKB-ja ka deklaruar se UNRWA u përmbahet standardeve të rrepta të neutralitetit.
UNRWA u themelua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më shumë se 70 vjet më parë për të ndihmuar palestinezët që u dëbuan me forcë nga tokat e tyre.

