Shefi i inteligjencës turke në Katar për bisedime për Gazën

Shefi i inteligjencës turke, Ibrahim Kalın, udhëtoi sot për në Katar për të diskutuar planin e paqes të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Gazën, thanë burime sigurie, transmeton Anadolu.
Sipas burimeve, Kalın do të takohet me palët e përfshira në negociatat në vazhdim midis Hamasit dhe Izraelit, të ndërmjetësuara nga Katari, SHBA-ja dhe Egjipti, duke u përqendruar në planin e propozuar të Trumpit për t’i dhënë fund luftës në enklavën palestineze.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al-Ansari, tha në një konferencë për mediat në Doha se Turqia do t’u bashkohet bisedimeve mbi planin gjithëpërfshirës, duke theksuar se përpjekjet e Katarit, Egjiptit dhe Turqisë do të koordinohen kolektivisht për t’i dhënë fund konfliktit.
Trump paraqiti pikat kryesore të planit të tij të armëpushimit në Gaza në një konferencë të përbashkët për mediat me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Washington të hënën.
Plani me 20 pika parashikon lirimin e të gjithë të burgosurve izraelitë në këmbim të dhjetëra të burgosurve palestinezë, çarmatosjen e plotë të Hamasit, tërheqjen graduale të forcave izraelite dhe formimin e një komiteti teknokratik dhe apolitik palestinez për të qeverisur enklavën.