Shefi i diplomacisë siriane: Siria dhe Turqia kanë shkruar histori

Shefi i diplomacisë siriane: Siria dhe Turqia kanë shkruar histori

Siria dhe Türkiye kanë shkruar “një histori të re”, tha Asaad Al-Shaibani, ministri i Jashtëm i administratës së re siriane, të mërkurën.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan, në Ankara, Shaibani falënderoi Türkiyen dhe popullin e saj që kanë qenë përkrah vendit të tij që nga fillimi i “revolucionit në Siri”.

Shaibani theksoi se kjo është një histori e bazuar në vëllazëri, duke nënvizuar se vëllazëria është krijuar për të siguruar stabilitet dhe siguri në rajon.

Ai deklaroi se administrata e re ka për qëllim të shërojë plagët e popullit sirian dhe theksoi rëndësinë e integritetit territorial të Sirisë.

“Uniteti ynë territorial është shumë i rëndësishëm. Ne dëshirojmë që e gjithë toka jonë, nën qeverinë qendrore, të jetë nën një çati të vetme.”

Ai shtoi se marrëdhëniet midis Türkiyes dhe Sirisë do të marrin hov në fusha të ndryshme drejt “horizonteve të reja” në të ardhmen e afërt.

Shaibani falënderoi Fidanin për mikpritjen e ngrohtë dhe presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan për pritjen, duke theksuar se do të vazhdojnë të mbështesin marrëdhëniet me Türkiyen.

Ai theksoi se janë mbledhur për ta rindërtuar Sirinë dhe nënvizoi se do të punojnë me të gjitha forcat për ta bërë Sirinë një vend të integruar në rajon dhe në botë, duke i kthyer asaj rolin strategjik.

“Populli sirian ka dëshmuar se është kundër diktaturës,” shtoi ai.

Shaibani vuri në dukje se regjimi Baas nuk është në interes të popullit sirian, duke shtuar se ata po punojnë për të ndërtuar një vend të ri “të bazuar në institucione, jo individë” dhe një vend që “respekton mirëqenien e të gjithë njerëzve”.

“Ne dëshirojmë që liria t’u kthehet të gjithë njerëzve,” tha ai.

Ai theksoi rëndësinë e përmirësimit të institucioneve arsimore.

“Sirisë i duhet vërtet mbështetje për zhvillim të ri. Presim ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht të vendeve vëllazërore dhe miqësore.”

Duke nënvizuar gatishmërinë e Sirisë për bashkëpunim ndërkombëtar në zhvillimin e saj, Shaibani tha se “pavarësisht nëse bëhet fjalë për vendet arabe apo komunitetin ndërkombëtar, ne duhet të jemi të bashkuar dhe në këtë mënyrë ta mbështesim Sirinë”.

I pyetur për iniciativat që administrata e re siriane do të ndërmarrë lidhur me kërcënimin e grupit terrorist PKK/YPG, Shaibani tha se “angazhohemi që të sigurojmë që Siria të mos përbëjë kërcënim për asnjë vend, veçanërisht për vendin tonë fqinj.”

“Ne po punojmë që rajoni të kthehet nën kontrollin e qeverisë qendrore dhe që identiteti arab të rikthehet,” shtoi ai.

Ai theksoi se dëshirojnë që qeveria qendrore e Damaskut të ketë sovranitet mbi gjithë vendin.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje për Konferencën e Dialogut Kombëtar, Shaibani nënvizoi rëndësinë e konferencës në “përcaktimin e së ardhmes së të gjithë popullit sirian”.

“Ne dëshirojmë një dialog që të gjitha pjesët e Sirisë mund ta pranojnë në harmoni. Pritet që në këtë konferencë të marrin pjesë 1.200 përfaqësues të popullit sirian. Do të diskutohen të gjitha fushat politike, ekonomike dhe shoqërore,” nënvizoi ai.

Pritet që administrata e re në Siri të mbajë këtë muaj Konferencën e Dialogut Kombëtar, ku do të diskutohet e ardhmja e vendit me të gjitha segmentet e shoqërisë.

Bashar al-Assad, presidenti sirian për gati 25 vjet, u largua në Rusi pasi grupet e anti-regjimit morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të partisë Baas, e cila ishte në pushtet që nga viti 1963.

MARKETING