SHBA-të përballet me ditën e dytë të ndërprerjeve të fluturimeve

SHBA-të përballet me ditën e dytë të ndërprerjeve të fluturimeve

Linjat ajrore dhe udhëtarët amerikanë po përballen me ditën e dytë të anulimeve e kufizimeve të fluturimeve në mbarë vendin, ndërsa pritet që mbyllja e qeverisë federale të shkaktojë ndërprerje edhe më të mëdha në ditët në vijim.

Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ka urdhëruar kompanitë ajrore të shkurtojnë 4% të fluturimeve të tyre të shtunën në 40 aeroportet kryesore për shkak të mbylljes së qeverisë. Këto shkurtime do të rriten në 6% të martën dhe do të arrijnë në 10% deri më 14 nëntor.

Urdhri, që hyri në fuqi të premten në orën 6 të mëngjesit, përfshin rreth 700 fluturime të katër kompanive më të mëdha ajrore amerikane: American Airlines, Delta Air Lines, Southwest Airlines dhe United Airlines.

Të shtunën, kompanitë ajrore do të shkurtojnë më pak fluturime sesa të premten, për shkak të volumit më të ulët të udhëtimeve. United Airlines do të anulojë 168 fluturime, nga 184 të premten, ndërsa Southwest do të anulojë pak më pak se 100, nga 120 që anuloi një ditë më parë.

Gjatë mbylljes rekord të qeverisë që ka zgjatur tashmë 39 ditë, rreth 13.000 kontrollorë të trafikut ajror dhe 50.000 punonjës të sigurisë në aeroporte janë detyruar të punojnë pa pagesë, gjë që ka çuar në mungesa të shumta në punë. Shumë kontrollorë ajrorë u njoftuan të enjten se nuk do të marrin pagesë për periudhën e dytë të radhës javën e ardhshme.

Ndërkohë, administrata Trump ka shtuar presionin ndaj demokratëve në Kongres, duke kërkuar që ata të miratojnë planin republikan për financimin e qeverisë, në mënyrë që ajo të mund të rihapet.

 

MARKETING