SHBA shkarkon komandanten e bazës në Grenlandë pas vizitës së JD Vance

SHBA shkarkon komandanten e bazës në Grenlandë pas vizitës së JD Vance

Shtetet e Bashkuara kanë shkarkuar komandanten e bazës së tyre ushtarake në Grenlandë për shkak të përpjekjeve të dyshuara për të “minuar agjendën e presidentit amerikan, Donald Trump”, pas mikpritjes që i bëri zëvendëspresidentit amerikan në ishullin Arktik.

Kolonelja Susannah Meyers u shkarkua nga pozita e komandantes së Bazës Hapësinore Pituffik të enjten mbrëma, pas raportimeve se kishte dërguar një email kritik ndaj vizitës së zëvendëspresidentit, JD Vance në ishull muajin e kaluar.

“Veprimet për të minuar zinxhirin komandues ose për të sabotuar agjendën e Trumpit nuk do të tolerohen në Departamentin e Mbrojtjes”, shkroi zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell, në platformën X.

Parnell e shoqëroi postimin me një raport nga një portal ushtarak ku thuhej se Meyers kishte dërguar një email për të gjithë personelin e bazës disa ditë pas vizitës së Vance, duke deklaruar se ajo do të vazhdonte të mbante të ngritura flamujt amerikan, danez dhe grenlandez, pavarësisht kritikave të ashpra të zëvendëspresidentit ndaj Kopenhagenit.

“Nuk pretendoj të kuptoj politikën aktuale, por ajo që di është se shqetësimet e administratës amerikane të diskutuara nga zëvendëspresidenti Vance të premten nuk pasqyrojnë realitetin e Bazës Hapësinore Pituffik”, thuhej në emailin e dërguar më 31 mars.

Grenlanda është vënë në qendër të vëmendjes gjeopolitike pasi Donald Trump ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se synon të marrë nën kontroll këtë ishull arktik me 57 mijë banorë nga Danimarka, dhe nuk ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës për ta arritur këtë qëllim.

SHBA ka pasur prezencë ushtarake në Grenlandë që nga Lufta e Dytë Botërore, por ajo është zvogëluar ndjeshëm nga kulmi prej rreth 15 mijë trupash dhe mbi një duzinë bazash në vetëm rreth 150 trupa dhe një bazë të vetme në Pituffik.

Koloneli Shawn Lee ka zëvendësuar Meyers, thuhej në deklaratë.

Si Danimarka, ashtu edhe Grenlanda kanë shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me SHBA-në për të përmirësuar sigurinë në ishull dhe në Arktik.

Por, Danimarka, si aleate e NATO-s, ka kritikuar publikisht vizitën e Vance dhe retorikën e Trump, duke thënë se e ardhmja e ishullit është vetëm në duart e grenlandezëve. Grenlanda është një territor gjysmë-autonom brenda mbretërisë së Danimarkës.

Grenlanda është e interesuar të tërheqë investime amerikane në industrinë e saj të re të mineraleve dhe turizmit, dhe shumë zyrtarë e pranojnë se mbrojtja e ishullit është thuajse e pamundur pa ndihmën e Amerikës. /Telegrafi/

MARKETING