SHBA ndalon 210 milionë dollarë grante për Universitetin Princeton pas hetimit për “antisemitizëm”

Administratat e presidentit amerikan Donald Trump ka ndaluar 210 milionë dollarë financime kërkimore për Universitetin Princeton, si pjesë e një hetimi të vazhdueshëm për “antisemitizëm” në kampusin e universitetit, transmeton Anadolu.
“Unë mund të konfirmoj se Departamenti i Energjisë ka ndërprerë fondet e granteve për Universitetin Princeton në pritje të përfundimit të hetimit të Departamentit të Arsimit në Pinceton në lidhje me ngacmimet antisemite”, citohet nga CNN një zëdhënës i Departamentit të Energjisë.
Ndërkohë, presidenti i Universitetit Princeton, Christopher Eisgruber informoi komunitetin e kampusit për shkurtimet e financimit në një postë elektronike të ndarë me CNN-në.
Eisgruber në mesazh tha se arsyet pas pezullimit nuk ishin “plotësisht të qarta”, por theksoi përkushtimin e universitetit për të luftuar antisemitizmin.
“Arsyetimi i plotë për këtë veprim nuk është ende i qartë”, shkroi Eisgruber në mesazh.
Ai tha se këtë javë universiteti ka marrë njoftime nga disa agjenci, përfshirë nga Departamenti i Energjisë, NASA dhe Departamenti i Mbrojtjes.
Mbi 500 viza studentore u anuluan mes goditjes së gjerë të dëbimit
Ndërkohë, CNN ka ekzaminuar dokumentet gjyqësore, deklaratat e avokatëve dhe njoftimet nga mbi 80 kolegje dhe universitete në të gjithë SHBA-në, duke konfirmuar se më shumë se 525 studentëve, anëtarëve të fakultetit dhe studiuesve u janë hequr vizat këtë vit.
Rastet fillestare të profilit të lartë, tha CNN, përfshinin individë të akuzuar për mbështetje të grupeve terroriste, si Mahmoud Khalil, i cili u arrestua pasi mori pjesë në protestat pro-palestineze në Universitetin Columbia.
Megjithatë, shpjegoi CNN, avokatët e imigracionit tani raportojnë një numër në rritje të kërcënimeve për dëbim ndaj studentëve që rrjedhin nga shkelje relativisht të vogla, si kundërvajtjet e viteve më parë ose në disa raste pa ndonjë justifikim të qartë fare.