SHBA: Kosova dhe Serbia të marrin seriozisht obligimet nga Marrëveshja për normalizim
Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Kosova dhe Serbia që të marrin seriozisht obligimet e tyre që dalin nga Marrëveshja për normalizimin e raporteve.
Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë tha për Radion Evropa e Lirë se në mesin e obligimeve përfshihet edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Ne i kërkojmë Kosovës dhe Serbisë që të marrin seriozisht obligimet e tyre që dalin nga Marrëveshje për normalizim, të cilët e kanë arritur më herët gjatë këtij viti dhe të nisin të lëvizin përpara edhe në obligimet ekzistuese dhe të mëhershme të dialogut dhe të Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha zëdhënësi i Ambasadës amerikane.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 14 shtator do të takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve.
Nga ambasada thanë se SHBA-ja vazhdon “ta mbështesë fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si një mënyrë për të arritur raporte paqësore dhe produktive mes Kosovës dhe Serbisë”.
Sipas agjendës së paralajmëruar, Kurti dhe Vuçiq do të diskutojnë për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, por edhe për çështje aktuale.
Këtë marrëveshje Kosova dhe Serbia e arritën në shkurt në Bruksel, ndërkaq në mars në Ohër u pajtuan për aneksin e zbatimit të saj.
Marrëveshja prej 11 nenesh nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Takimi i 14 shtatorit do të jetë i teti mes Kurtit dhe Vuçiqit. Në shtatë takimet e kaluara, ata nuk kanë nënshkruar asnjë marrëveshje, përfshirë edhe atë për normalizim në shkurt, e cila është arritur vetëm gojarisht.
“Angazhimi konstruktiv dhe përpjekjet në mirëbesim nga Kosova dhe Serbia do të sjellin përfitime të qëndrueshme për qytetarët, përfshirë rritjen ekonomike dhe do të sigurojnë stabilitet afatgjatë rajonal”, tha zëdhënësi i Ambasadës amerikane.
Disa ditë para takimit të Brukselit, Kurti bisedoi me të dërguarin e e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esocobar, “për rëndësinë e zbatimit të shpejtë dhe të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”.
Ndërkaq, në një intervistë për Zërin e Amerikës, Escobar tha më 13 shtator se nuk kishte marrë kurrfarë zotimi nga Kurti për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. /rel/