SHBA-ja shpallë degët e Vëllazërisë Muslimane si grupe terroriste
SHBA-ja të martën shpalli disa degë të Vëllazërisë Muslimane si organizata terroriste, si pjesë e axhendës së sigurisë kombëtare të presidentit Donald Trump, transmeton Anadolu.
“Si një hap i parë në mbështetje të angazhimit të presidentit Trump për të eliminuar aftësitë dhe operacionet e degëve të Vëllazërisë Muslimane që përbëjnë kërcënim për SHBA-në, siç përshkruhet në Urdhrin Ekzekutiv 14362, SHBA-ja po vendos përcaktime terroriste kundër degëve libaneze, jordaneze dhe egjiptiane të Vëllazërisë Muslimane”, tha sekretari i Shtetit, Marco Rubio në një deklaratë.
“Departamenti i Shtetit po e shpall Vëllazërinë Muslimane Libaneze si organizatë të huaj terroriste dhe një terrorist global të caktuar posaçërisht (SDGT) dhe udhëheqësin e grupit Muhammad Fawzi Taqqosh si një SDGT”, tha Rubio.
Duke argumentuar se “Departamenti i Thesarit po e shpall Vëllazërinë Muslimane Egjiptiane dhe Vëllazërinë Muslimane Jordaneze si SDGT për ofrimin e mbështetjes materiale për Hamasin”, Rubio tha se ky veprim pasqyron “veprimet fillestare të një përpjekjeje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme për të penguar dhunën dhe destabilizimin e degëve të Vëllazërisë Muslimane kudo që ndodhen”.
“SHBA-ja do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për t’i privuar këto degë të Vëllazërisë Muslimane nga burimet për t’u angazhuar në ose për të mbështetur terrorizmin”, shtoi ai.
Departamenti i Thesarit në një deklaratë të veçantë tha se masa synon grupin për shkak se mbështeti organizatat “militante” në rajon.

