SHBA-ja rrëzon balonën kineze të ‘spiunazhit’
Shtetet e Bashkuara rrëzuan sot në brigjet e Karolinës balonën e dyshuar kineze të spiunazhit, e cila ishte parë mbi hapësirën ajrore të SHBA-së, njoftuan mediat amerikane, transmeton Anadolu.
Një operacion është duke u zhvilluar për të marrë mbeturinat nga balona në Oqeanin Atlantik, thanë mediat.
Hapi erdhi pasi presidenti amerikan Joe Biden tha se administrata e tij “do të kujdeset” për balonën që ishte në lartësi të madhe.
Sot më herët, vendi mbylli hapësirën ajrore në Karolinën e Jugut dhe të Veriut, ndërsa Administrata Federale e Aviacionit tha se operacionet në aeroportet Charleston, Myrtle Beach dhe Wilmington u ndërprenë për arsye të “përpjekjeve për sigurinë kombëtare”.
Shfaqja e balonës kishte nxitur tension diplomatik, ndërsa Washington-i tha se ajo shkeli sovranitetin e vendit. Ndërkaq, Pekini kishte shprehur keqardhje për “hyrjen e paqëllimshme” të “avionit civil të përdorur për kërkime”.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken kishte shtyrë udhëtimin e tij të planifikuar në Kinë pas “aktit të papërgjegjshëm”.