SHBA-ja mirëpret mbështetjen e presidencës palestineze për planin e Trumpit për Gazën
Departamenti i Shtetit i SHBA-së tha se mirëpret mbështetjen palestineze për planin 20-pikësh të presidentit Donald Trump, duke theksuar angazhimin e Washingtonit për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
“Ne mirëpresim mbështetjen e Presidencës Palestineze për Planin historik të Paqes me 20 pika të presidentit Trump”, tha Byroja për Çështjet e Lindjes së Afërt në platformën sociale amerikane X.
“SHBA-ja mbetet e përkushtuar për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për të promovuar paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme”, thuhet më tej.
I dërguari i posaçëm i Trumpit, Steve Witkoff, njoftoi sot fillimin e fazës së dytë të planit të armëpushimit në Gaza, duke thënë se fokusi do të zhvendoset drejt çmilitarizimit, qeverisjes teknokratike dhe rindërtimit.
Hussein al-Sheikh, nënpresident i shtetit të Palestinës, tha se presidenca mirëpret përpjekjet e ndërmarra nga Trump për të përfunduar zbatimin e planit të tij të paqes dhe për të zbatuar Rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfshirë krijimin e Bordit të Paqes dhe organeve të tij ekzekutive.
Izraeli ka vrarë më shumë se 70 mijë palestinezë në Gaza gjatë një periudhe dyvjeçare që nga tetori i vitit 2023. Një armëpushim i brishtë është në fuqi në enklavë prej tre muajsh. Faza e parë e planit përfshinte shkëmbimin e pengjeve midis Izraelit dhe Hamasit.

