SHBA-ja kërkon të sigurojë aleatët e Gjirit përpara samitit arabo-islamik në Katar

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, disa orë para hapjes së samitit arabo-islamik në kryeqytetin katarian u përpoq të qetësojë Katarin dhe aleatët e Gjirit të hënën pas sulmit izraelit të javës së kaluar në Doha, transmeton Anadolu.
Duke iu drejtuar një konference për media në Kuds me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Rubio tha se Washingtoni është në kontakt të vazhdueshëm me aleatët e tij të Gjirit dhe ende mbështetet në rolin e Katarit për të arritur armëpushim në Rripin e Gazës dhe një marrëveshje shkëmbimi pengjesh midis Izraelit dhe Hamasit.
Rubio theksoi se SHBA-ja do të vazhdojë të inkurajojë Katarin të luajë “rol ndërmjetësues konstruktiv” në përpjekjet për të siguruar marrëveshje për Gazën.
“Washingtoni mbetet i përqendruar në ‘atë që ndodh tani’ në konflikt. Katari mund të ndihmojë në ndërmjetësimin e një rezultati që shkon përtej përfundimit të armiqësive”, tha sekretari amerikan.
“Ne jemi të përqendruar në atë që ndodh më pas. Çfarë roli mund të luajë Katari këtu që çon jo vetëm në arritjen e një rezultati për përfundimin e këtyre armiqësive, jo vetëm në lirimin e të gjitha pengjeve, si të gjallë ashtu edhe të vdekur?”, shtoi Rubio.