SHBA-ja i pezullon për 90 ditë tjera tarifat e larta ndaj Kinës

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv i cili parashikon shtyrjen e zbatimit të tarifave të larta ndaj mallrave kineze për 90 ditë të tjera, transmeton Anadolu.
Dekreti në fjalë erdhi vetëm disa orë para afatit 90-ditor të vendosur nga SHBA-ja dhe Kina në maj për të ulur tarifat që kishin ngritur reciprokisht. Në një deklaratë të nga Shtëpia e Bardhë thuhet se Trump nënshkroi dekretin, i cili parashikon vazhdimin e pezullimit të tarifave doganore të rritura ndaj Kinës.
Deklarata thekson se kjo është e nevojshme për të lehtësuar diskutimet e vazhdueshme dhe produktive midis SHBA-së dhe Kinës për adresimin e çekuilibrave tregtarë, dhënien fund të praktikave të padrejta tregtare, zgjerimin e aksesit në treg për eksportet amerikane dhe harmonizimin me SHBA-në për çështjet e sigurisë kombëtare dhe ekonomike.
Me dekretin është zgjatur deri më 10 nëntor afati i pezullimit të tarifave doganore të rritura ndaj mallrave të importuara nga Kina. “Nënshkrova dekretin që zgjat pezullimin e tarifave për Kinën për 90 ditë të tjera. Të gjithë elementët e tjerë të marrëveshjes do të mbeten të njëjtë”, tha Trump në llogarinë e tij në “Truth Social”.
– Përballja dhe negociatat për tarifat midis SHBA-së dhe Kinës
Trump më 2 prill njoftoi tarifa shtesë për partnerët tregtarë, përfshirë Kinën. Në fund të përballjes së tarifave që filloi mes dy vendeve me kundërpërgjigjen e Kinës, SHBA-ja e rriti deri në 145 për qind tarifën e saj doganore që zbaton ndaj Kinës ndërsa Pekini e vendosi në 125 për qind tarifën e saj doganore ndaj Washingtonit.
Zyrtarët amerikanë dhe kinezë pas përshkallëzimit të tensioneve tregtare, u takuan në Gjenevë të Zvicrës më 10-11 maj për negociata tarifash dhe ranë dakord të ulnin tarifat dypalëshe për 90 ditë.
Pas takimit, u ra dakord që duke filluar nga 14 maji, SHBA-ja të ulte tarifat e saj për mallrat kineze nga 145 për qind në 30 për qind për 90 ditë ndërsa Kina të ulte tarifat e saj për mallrat amerikane nga 125 për qind në 10 për qind.
Zyrtarët nga të dy vendet u takuan në Londër në qershor për raundin e dytë të bisedimeve dhe njoftuan se ranë dakord mbi një “kornizë” për zbatimin e marrëveshjes tregtare të arritur më parë në Gjenevë.
Raundi i tretë i bisedimeve tregtare midis SHBA-së dhe Kinës u zhvillua në korrik në kryeqytetin e Suedisë, Stokholm.