SHBA-ja e shqetësuar se Kina mund të përdorë dronë që fluturojnë tre herë më shpejt se zëri

SHBA-ja e shqetësuar se Kina mund të përdorë dronë që fluturojnë tre herë më shpejt se zëri

Sipas dokumenteve të klasifikuara të Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës Gjeohapësinore, të publikuara nga Washington Post, Kina mund të vendosë së shpejti drone spiune supersonikë që fluturojnë të paktën tre herë më shpejt se shpejtësia e zërit.

Raporti i zbuluar ka thënë se ushtria e Kinës “po krijonte përparime teknologjike” që mund ta ndihmonin të synonte anijet luftarake amerikane rreth Tajvanit dhe bazat ushtarake në rajon.

Dokumenti i klasifikuar përmban imazhe satelitore që tregojnë dy drone zbulimi WZ-8 në një bazë ajrore në Kinën lindore. Washington Post shkruan se bëhet fjalë për dronë të teknologjisë së fundit që mund të ndihmojnë Kinën të mbledhë të dhëna në kohë reale.

Ky dokument përmban gjithashtu rrugë të mundshme fluturimi me dron. Dronët mund të hyjnë në hapësirën ajrore të Tajvanit ose Koresë së Jugut dhe të fluturojnë me shpejtësi tre herë më të madhe se zëri. Në raport, ekspertët amerikanë vlerësuan se kamerat dhe sensorët e dronëve mund të mbledhin të dhëna të inteligjencës gjatë natës dhe në mot me mjegull.

Raporti tutje shkruan se ushtria e Kinës ka vendosur me siguri njësinë e saj të parë të dronëve në një bazë nën Komandën e Teatrit Lindor. Kjo është dega e ushtrisë kineze përgjegjëse për Tajvanin.

Chi Li-pin, drejtor i departamentit të kërkimit të sistemeve të aviacionit në Institutin Kombëtar të Shkencës dhe Teknologjisë Chung-Shan, vlerësoi se dronët e këtij lloji do të përdoren jo vetëm kundër Tajvanit, por edhe kundër SHBA-së dhe bazave të saj ushtarake në Paqësor.

“Ato janë të vështira për t’u zbuluar dhe përgjuar. Armët ekzistuese ajrore amerikane nuk janë mjaft të mira”, ka thënë ai.

Dean Cheng, një ekspert në Institutin Potomac për Studime Politike, ka thënë se dokumentet e SHBA-së tregojnë se Kina po zhvillon aftësinë për të monitoruar të gjithë rajonin Indo-Paqësor.

“Nuk është kundër SHBA-së apo Koresë së Jugut. Japonia duhet të shqetësohet për këtë. India duhet të shqetësohet për këtë. E gjithë Azia Juglindore duhet të shqetësohet për këtë”, ka shtuar ai.

MARKETING