SHBA heq sanksionet ndaj degëve të Rosneft të menaxhuara nga Gjermania
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të heqin nga lista e sanksioneve degët e kompanisë ruse të naftës Rosneft që aktualisht administrohen nga Gjermania.
Sipas deklaratës së ministrit gjerman të Ekonomisë, Robert Reiche, kjo lëvizje u bë e mundur pasi pasuritë dhe aktivitetet e këtyre degëve nuk janë më nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Rusisë, por ndodhen në administrim gjerman që prej konfiskimit të tyre.
Vendimi vjen pas një periudhe të gjatë diskutimesh mes Berlinit dhe Uashingtonit. Më herët, kancelari gjerman, Friedrich Merz kishte bërë thirrje që Shtetet e Bashkuara të rishikonin qëndrimin e tyre dhe të lejonin heqjen e sanksioneve, duke argumentuar se kufizimet po dëmtonin më shumë ekonominë gjermane sesa interesat ruse.
Kompania Rosneft Deutschland, degë e gjigantit energjetik rus, zotëron aksione në tre nga rafineritë më të rëndësishme të naftës në Gjermani. Këto rafineri përbëjnë rreth 12 për qind të kapacitetit total të përpunimit të naftës në vend, një pjesë thelbësore për furnizimin e tregut gjerman me karburante. Nëse sanksionet do të kishin vazhduar, ato mund të kishin shkaktuar ndërprerje të furnizimit dhe rritje të mëtejshme të çmimeve të energjisë.

