“SHBA dha 60 milionë dollarë në Gazë për ushqime”, Trump: Të paktën dikush duhet të na falënderojë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar për situatën humanitare në Gaza, gjatë një deklarate për mediat në Skoci, përpara një takimi me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
I pyetur nëse Izraeli duhet të bëjë më shumë për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza, Trump tha se SHBA kishte dhënë 60 milionë dollarë për ushqim dhe ndihma, por shtoi se “askush nuk e pranoi këtë” dhe se “duhet të paktën që dikush të falënderojë” për përpjekjet e Amerikës.
Presidenti amerikan u ndal edhe te çështja e pengjeve izraelite që ndodhen ende në Gaza, duke përmendur takimet me familjarë të viktimave, të cilët kërkojnë kthimin e trupave të të afërmve të tyre.
Trump konfirmoi se ka diskutuar për situatën në rajon me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ku një nga temat kryesore ka qenë edhe Irani. Ai shtoi se SHBA do të japë ndihmë shtesë për Gazën, por kërkoi që edhe vendet e tjera të marrin përgjegjësi, duke e cilësuar krizën si një “problem ndërkombëtar”.
I pyetur për pamjet e fëmijëve të uritur në Gaza, Trump i quajti ato “të tmerrshme”, duke shtuar se “i gjithë ai vend është një rrëmujë” dhe se njerëzit “po vjedhin gjithçka”.
Sa i përket hapave të ardhshme, Trump u shpreh se “Izraeli do të duhet të marrë një vendim”, duke shtuar: “E di çfarë do të bëja, por nuk mendoj se është e përshtatshme ta them”.
Në fund, ai konfirmoi se do të takohet me kryeministrin britanik Keir Starmer, për çështje të ndryshme, përfshirë edhe Izraelin dhe një marrëveshje të re tregtare SHBA-Britani e Madhe.