SHBA bën thirrje për “armëpushim humanitar” të menjëhershëm në Sudan pasi vuajtjet e civilëve përkeqësohen

SHBA bën thirrje për “armëpushim humanitar” të menjëhershëm në Sudan pasi vuajtjet e civilëve përkeqësohen

SHBA-ja u ka bërë thirrje palëve ndërluftuese të Sudanit që të bien dakord menjëherë dhe të zbatojnë një “armëpushim humanitar”, transmeton Anadolu.

SHBA-ja paralajmëroi se numri i civilëve të vrarë ka arritur “nivele katastrofike”.

“SHBA-ja u bën thirrje palëve në konflikt në Sudan që të bien dakord menjëherë dhe të zbatojnë armëpushimin humanitar të propozuar”, shkroi në rrjetet sociale këshilltari i lartë i presidentit amerikan për Çështjet Arabe dhe Afrikane, Massad Boulos.

Boulos tha se miliona civilë nuk kanë ushqim, ujë dhe kujdes mjekësor. Ai u bëri thirrje Forcave të Armatosura Sudaneze (SAF) dhe Forcave Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) të angazhohen për një armëpushim “të shpejt dhe pa qëndrime politike ose ushtarake që do të kushtojnë më shumë jetë”.

“Të gjitha palët duhet të respektojnë angazhimin e tyre, të ndërpresin armiqësitë dhe të lejojnë qasje të plotë, të sigurt dhe të papenguar humanitare”, tha ai, duke shtuar se armëpushimi duhet të shërbejë si një “hap jetësor drejt dialogut të qëndrueshëm dhe paqes së qëndrueshme”.

Kjo vjen pasi OKB-ja paralajmëroi se situata në Sudan po përkeqësohet për civilët, ndërsa grupet e ndihmës tregojnë se qasja në zonat e prekura mbetet shumë e kufizuar nga konflikti.

Konflikti midis ushtrisë sudaneze dhe RSF-së, që filloi në prill të vitit 2023, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka vrarë të paktën 40 mijë njerëz dhe ka zhvendosur 12 milionë.

Muajin e kaluar, RSF-ja pushtoi qytetin El-Fasher dhe u akuzua për masakra. Grupi kontrollon të pesë shtetet e rajonit Darfur, nga gjithsej 18 shtete të vendit, ndërsa ushtria mban kontrollin mbi shumicën e 13 shteteve të mbetura, përfshirë kryeqytetin Khartoum.

Darfuri përbën rreth një të pestën e territorit të Sudanit, por shumica e 50 milionë njerëzve të vendit jetojnë në zona të kontrolluara nga ushtria.

MARKETING