SHBA, arrestohet një person me dyshimin se ka drejtuar lazerin drejt helikopterit të Trumpit

SHBA, arrestohet një person me dyshimin se ka drejtuar lazerin drejt helikopterit të Trumpit

Një person u arrestua me akuza federale të hënën për drejtimin e një lazeri drejt helikopterit “Marine One” teksa po largohej nga Shtëpia e Bardhë me presidentin e SHBA-së, Donald Trump në bord, tha Shërbimi Sekret, transmeton Anadolu.

Jacob Samuel Winkler, 33-vjeç nga Washington DC u akuzua për drejtimin e një lazeri drejt helikopterit, një krim që dënohet deri në 5 vjet burg.

Incidenti ndodhi të shtunën në mbrëmje kur oficeri i Shërbimit Sekret, Diego Santiago vuri re një burrë pa bluzë që sillej me zë të lartë dhe fliste me vete në “Constitution” Avenue pranë Ellipse, sipas dosjeve gjyqësore.

Ndërsa “Marine One” kalonte sipër, Winkler dyshohet se e drejtoi lazerin drejt helikopterit, duke paraqitur rrezik për një përplasje ajrore, shkroi oficeri i Shërbimit Sekret.

Pasi u prangos, Winkler dyshohet se tha se “duhet t’i kërkojë falje Donald Trumpit” dhe u tha hetuesve se e drejton rregullisht lazerin drejt objekteve si shenjat e ndalimit, pa e ditur se ishte e paligjshme ta drejtonte atë drejt “Marine One”. Oficerët gjetën gjithashtu një thikë të vogël në posedim të tij.

Dosja gjyqësore nuk tregon nëse dikush në “Marine One” e pa lazerin, por oficeri tha se veprimet e Winkler-it mund ta kishin verbuar ose çorientuar përkohësisht pilotin, duke rrezikuar helikopterin dhe avionët aty pranë.

MARKETING