Serbi: Mbështetësit dhe kundërshtarët e pushtetit protestojnë në disa qytete

Të dielën në Serbi janë mbajtur marshe të mbështetësve të Qeverisë, të cilët kundërshtojnë protestat që mbahen që 10 muaj kundër pushtetit.
Në qytetet si Nishi, Çaçaku dhe Shabaci janë mbajtur marshe paralele dhe me raste janë raportuar tensione mes dy palëve.
Policia ka intervenuar në një incident të raportuar në Çaçak ndërsa në Shabac i ka ndarë dy grupet e protestuesve përmes kordonit.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka marrë pjesë në marshin në Borça, ka përsëritur thirrjen e tij për dialog.
Disa prej studentëve që protestojnë kundër Qeverisë, e kanë refuzuar ftesën e Vuçiqit për debat të hapur televiziv, duke thënë se do të flasin me të kur t’i thërrasë zgjedhjet e parakohshme dhe t’i përmbushë kërkesat.
Më 3 shtator, presidenti i partisë në pushtet, Partisë Përparimtare Serbe, Millosh Vuçeviq u ka bërë thirrje mbështetësve të mblidhen në 120 qytete dhe qyteza në Serbi.
Mbështetësit e Qeverisë janë mbledhur të dielën, një ditë pas protestave të radhës të studentëve kundër pushtetit, të cilat janë mbajtur për të kundërshtuar përdorimin e forcës policore kundër protestuesve në Novi Sad më 5 shtator.