Şentop: Turqia nuk do të pranojë në NATO një shtet tjetër që dobëson sigurinë e saj
Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Türkiye-s (TBMM), Mustafa Şentop, tha se vendi i tij nuk do të pranojë një shtet tjetër në NATO që mund të dobësojë sigurinë e Ankarasë, raporton Anadolu.
“Si Türkiye, pse duhet të pranojmë hyrjen e një shteti tjetër që do të dobësojë sigurinë tonë, në një organizatë që synon të forcojë sigurinë tonë?” tha Şentop në Panelin Editorial të Anadolu Agency në selinë e agjencisë në Ankara.
Türkiye, shtoi ai, theksoi vazhdimisht se Suedia duhet të ndërmarrë hapa konkretë në lidhje me grupin terrorist PKK dhe degët e tij, të cilat zhvillojnë demonstrata provokuese në Stockholm, pavarësisht se janë listuar si një grup terrorist në BE.
Por, për fat të keq, duket se Suedia nuk do ta bëjë këtë, shtoi zyrtari turk.
Duke folur për djegien e Librit të Shenjtë Kuranit në Suedi, Şentop tha: “Ne duam që të gjithë Librat e Shenjtë të respektohen në të njëjtën mënyrë. Kishte një përpjekje për të djegur Tevratin dhe ne themi se është e gabuar. Ne refuzojmë çdo mosrespekt ndaj të gjithë Librave të Shenjtë”.
“Si akademik dhe shkencëtar, mund të them se djegia e një libri është në vetvete një qëndrim i gabuar, primitiv, fanatik. Ju mund të shprehni kritika, por djegia e një libri është një qasje primitive që të kujton periudhën e inkuizicionit dhe epokën e Hitlerit”, shtoi ai.
Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t’u anëtarësuar në NATO në maj të vitit të kaluar, një vendim i nxitur nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt 2022.
Por Türkiye, një anëtare e NATO-s për më shumë se 70 vjet, shprehu kundërshtime, duke akuzuar të dy vendet se tolerojnë dhe madje mbështesin grupet terroriste, duke përfshirë PKK-në dhe organizatën terroriste FETO, grupi që qëndron pas përpjekjes së mposhtur për grusht shtet më 15 korrik.
Në qershor, Türkiye dhe dy vendet nordike nënshkruan një memorandum në një samit të NATO-s për të adresuar shqetësimet legjitime të sigurisë së Ankarasë, duke hapur rrugën për anëtarësimin e tyre përfundimtar në aleancë.
Në memorandum, Suedia dhe Finlanda ranë dakord të mos ofrojnë mbështetje për PKK-në, degët e saj dhe FETO-n, të parandalojnë të gjitha aktivitetet e grupeve terroriste, të ekstradojnë të dyshuarit për terrorizëm, të miratojnë legjislacionin e ri për të ndëshkuar krimet terroriste dhe t’i japin fund të gjitha embargove të armëve ndërmjet tre vendeve.
Por zyrtarët turq thonë se vendet, veçanërisht Suedia, nuk kanë marrë ende hapat e nevojshëm kundër terrorizmit.
Bisedimet mbi synimet për anëtarësim ngecën pas demonstratave provokuese dhe djegies së Kuranit në Stockholm.
Ankaraja ka paralajmëruar gjithashtu që aplikimi i Finlandës për anëtarësim në NATO të shqyrtohet veçmas nga ai i Suedisë.
Duke iu referuar vendimit të tij për të anuluar vizitën e kryetarit të parlamentit suedez Andreas Norlen në Türkiye, Şentop tha: “Kur shohim zhvillimet e mëpasshme, e kuptoj më mirë se sa i mençur ishte ky vendim. Sepse çështja nuk është thjesht një incident i izoluar, por zbulon një mentalitet dhe një botëkuptim”.
Nominimi i presidentit të Türkiye-s për Çmimin Nobel për Paqe
Duke folur për nominimin e presidentit të Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, për Çmimin Nobel për Paqe nga shumë vende, Şentop tha se ngjarja më e rëndësishme e vitit të kaluar ishte lufta Rusi-Ukrainë, e cila është ende në vazhdim, dhe ishte Erdoğan ai që ndërmori hapa për t’i dhënë fund konfliktit, ose të paktën për të arritur një armëpushim humanitar.
Pakistani, Indonezia, Hungaria, Japonia, Bangladeshi, Algjeria, Omani, Mali, Gaboni dhe Nigeri kanë nominuar presidentin e Türkiye-s për çmimin.