Senatori amerikan paraqet rezolutën “historike” për të njohur zyrtarisht shtetin palestinez

Senatori amerikan, Jeff Merkley, ka paraqitur një rezolutë të parë të këtij lloji, duke i bërë thirrje SHBA-së të njohë zyrtarisht shtetin palestinez, transmeton Anadolu.
“Njohja e një shteti palestinez nuk është vetëm një hap praktik që SHBA-ja mund të ndërmarrë për të ndihmuar në ndërtimin e një të ardhme ku palestinezët dhe izraelitët mund të jetojnë në liri, me dinjitet dhe në siguri, por është gjëja e duhur për t’u bërë. Amerika ka përgjegjësinë të udhëheqë dhe koha për të vepruar është tani”, tha Merkley në një deklaratë.
Rezoluta bën thirrje që SHBA-ja të njohë një shtet palestinez të demilitarizuar së bashku me një Izrael të sigurt, në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe parimet e një zgjidhje me dy shtete.
“Kjo rezolutë bën thirrje për një drejtim tjetër. Së pari, një armëpushim i menjëhershëm, kthimi i të gjithë pengjeve dhe fluksi i ndihmave. Por pastaj, një themel për paqe dhe prosperitet për të ardhmen dhe e vetmja rrugë e qëndrueshme për këtë është dy shtete për dy popuj. Qëllimi i një shteti palestinez nuk mund të shtyhet më nëse duam që gjenerata e ardhshme të shmangë vuajtjet nga e njëjta pasiguri dhe vuajtje”, tha Merkley.
Rezoluta është bashkë-sponsorizuar nga senatorët Chris Van Hollen, Tim Kaine, Bernie Sanders, Peter Welch, Tina Smith, Tammy Baldwin dhe Mazio Hirono.