Senati amerikan rrëzon projektligjin për të kufizuar kompetencat e Trumpit mbi luftën
MARKETING
Senati i SHBA-së ka hedhur poshtë një projektligj që synonte të kufizojë kompetencat e presidentit Donald Trump për të zhvilluar luftë kundër Iranit pa autorizimin e Kongresit, transmeton Anadolu.
MARKETING
Projektligji, i cili synonte të kufizojë sulmet e Trumpit ndaj Iranit, u hodh për votim në Senatin e SHBA-së. Demokratët e propozuan atë, por ai u refuzua me 53 vota kundër dhe 47 pro.
“Nuk i dimë qëllimet e Donald Trumpit. Nuk e dimë afatin kohor të tij. Nuk e dimë as se si duket fitorja sipas tij”, tha para votimit lideri demokrat Chuck Schumer.
Rand Paul ishte i vetmi republikan që mbështeti masën ndërsa John Fetterman ishte i vetmi demokrat që votoi kundër saj. Ky votim shënoi përpjekjen e dytë të demokratëve për ta detyruar Kongresin të marrë një qëndrim mbi fushatën ushtarake të përbashkët SHBA-Izrael, e cila ka nisur në fund të muajit të kaluar dhe është pa afat të përcaktuar.
Rezoluta e vitit 1973 për kompetencat e luftës (War Powers Resolution) kërkon që presidenti amerikan të marrë miratimin e Kongresit përpara se të shpallë luftë ndaj një vendi dhe e detyron atë të njoftojë paraprakisht Kongresin për një hap të tillë.
SHBA-ja dhe Izraeli kanë vazhduar ofensivën e përbashkët kundër Iranit që nga 28 shkurti, duke vrarë deri tani rreth 1.300 persona, përfshirë liderin suprem të atëhershëm, Ali Khamenei.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë si dhe duke ndikuar në tregjet globale dhe aviacionin.

