Sekuestrimi i mbi një milion euro në xhirollogari bankare, të holla ‘kesh’, ari e aksesorë – gjithçka nga aksioni në Kosovë
Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës dhe një numër i prokurorëve të Prokurorisë Themelore të Prizrenit të enjten kanë realizuar një aksion të madh në tërë territorin e Kosovës, lidhur me keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se lidhur me këtë janë arrestuar 39 persona të dyshuar, janë sekuestruar mbi një milion euro (1.300.886) në xhirollogari bankare, të holla kesh 23.700,00 euro, ari, aksesor, orë dore, dy armë zjarri, pajisje elektronike, kontrata dhe ujdi.
“Të pandehurit në vazhdimësi, në kundërshtim me rregullat dhe procedurat e brendshme të Byrosë Kosovare të Sigurimit, pa dokumentacion mbështetës, me dokumente të falsifikuara, me transaksione fiktive, të dëmtuarës i kanë shkaktuar dëm material në shumën prej një milion e dyzetë e tre mijë e dyqind e dyzetë e tetë (1.043,248) euro. Me këto veprime ekziston dyshimi i arsyeshëm në kryerje të veprave penale ‘Keqpërdorimi i besimit’ nga neni 330, veprën penale ‘Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike’ nga neni 284, veprën penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ nga neni 390 si dhe veprën penale ‘Keqpërdorimi i besimit’ në ndihmë nga neni 330 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Në hetime kanë qenë të përfshirë 47 persona në cilësinë e të pandehurve, përfshirë një person juridik.
Ish-drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku bashkë me ish-drejtorin e Financave në BKS, Valon Berisha, dyshohen t’iu kenë lëshuar para qytetarëve të ndryshëm në emër të sigurimeve në vlera mijëra euro.
Nga këto para, qytetarët një pjesë të tyre dyshohet t’ua kenë dhënë vetë atyre në ‘cash’.
Të pandehurit e arrestuar, gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh dhe brenda afatit ligjor për të njëjtit Prokuroria do të parashtroj kërkesë për caktim të masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.
Po ashtu në këtë aksion kanë qenë të përfshirë 8 Prokurorë të Shtetit, si dhe rreth 400 zyrtarë policorë.
E lidhur me aksionin, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu në një konferencë për media ka dhënë detaje lidhur me aksionin e zhvilluar.
Ai ka bërë të ditur se hetimet për këtë rast kanë nisur që në mars të vitit 2025, ndërsa aksionit i kanë paraprirë një sërë veprimesh hetimore intensive.
“Cak në mesin e hetimeve janë ish drejtori ekzekutiv i BKS-së dhe ish drejtori i departamentit financiarë të hetimeve po ashtu të BKS-së, të cilët duke keqpërdorur autorizimet që iu kanë besuar nga BKS-ja ju kanë mundësuar personave të ndryshëm dhe vetvetes që të barten transaksione të ndryshme ku kanë arritur përfitime të mëdha për vete, duke i shkaktuar dëm të madh BKS-së në vlerë prej 1 milion e 43 mijë euro, po ashtu kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike dhe kanë përpiluar dokumente të falsifikuara”, ka thënë Kryeziu.
Kryeziu po ashtu tregoi se gjatë aksionit kanë arritur të sigurojnë 166 transaksione të dyshimta.
“Për me qenë më të qartë deri në këtë fazë kemi arritur të sigurojmë 166 transaksione të dyshimta. Në mesin e tyre 25 transaksione kanë të bëjnë me 12 persona me të cilët kanë arritur ujdi fiktive jashtë gjyqësore kinse për përfaqësim për të autorizuar përfaqësuar të personave që më herët kanë pasur aksidente në komunikacion dhe i kanë kompensuar në vitin 2022-23 përderisa personat tjerë kanë qenë të kompensuar qysh në vitet e më hershme në vitin 2016-17. Po ashtu kanë aplikuar edhe 143 transaksione tjera te personat e ndryshëm pa asnjë dokument të vetëm. Shuma më e vogël e transaksionit ka qenë mbi 6 mijë euro derisa më e larta ka qenë 68 mijë euro. 46 persona i kemi pas target dhe 39 persona kanë përfunduar të arrestuar për të cilët prokuroria ka lëshuar vendim për ndalim. Po ashtu aksioni i sotëm ka përfshirë gjithë territorin e Kosovës”.
Ndërkaq, kapiteni Fatmir Karaliti ka bërë të ditur se në operacion janë përfshirë rreth 400 zyrtarë policorë.
“…Edhe pse kemi pasur kushte të vështira atmosferike, operacioni është kryer me sukses”, tha ai.

