S’donte të kthehej i gjallë në Shqipëri, vdes në Angli
Një emigrant shqiptar në Angli që pranonte më mirë të vdiste aty se sa të kthehej në Shqipëri, ka ndërruar jetë pikërisht me këtë zgjedhje.
Fjala është për një 37-vjeçar, që, siç raporton The Guardian, ka tentuar të vrasë veten brenda qendrës së emigrantëve Brook House, në Gatwick të Britanisë së Madhe. Dhe, pas një javë në spital, ka dhënë frymën e fundit pikërisht aty.
The Guardian sqaron se emigranti i paligjshëm nga Shqipëria ndërroi jetë të premten në spitalin East Surrey, ku ishte shtruar në njësinë e kujdesit intensiv pasi kishte tentuar të vetëvritej brenda kampit të emigrantëve.
Të shtunën në mëngjes, Home Office konfirmoi vdekjen e 37-vjeçarit, ndërsa policia, mjeku ligjor dhe avokati i popullit për burgjet dhe shërbimet e provës kanë nisur hetimet për rastin. /tesheshi.com/