Samiti Arab në Bagdad bën thirrje për dërgimin urgjent të ndihmës në Gaza, dënon sulmet izraelite në Siri

Samiti Arab në Bagdad bën thirrje për dërgimin urgjent të ndihmës në Gaza, dënon sulmet izraelite në Siri

Samiti i 34-të i Ligës Arabe ka bërë thirrje për dërgimin “urgjent dhe të papenguar” të ndihmave humanitare në Gaza dhe ka dënuar sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Siri, transmeton Anadolu.

MARKETING

“Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht vendeve me ndikim, të përmbushin përgjegjësitë e tyre morale dhe ligjore duke ushtruar presion për t’i dhënë fund gjakderdhjes dhe për të siguruar dërgimin e papenguar të ndihmës urgjente humanitare në të gjitha zonat e prekura në Gaza”, thuhet në deklaratën përfundimtare të samitit.

Liderët arabë gjithashtu dënuan “sulmet e vazhdueshme izraelite në territorin sirian, shkeljet e sovranitetit të saj dhe përpjekjet për të minuar dhe shkatërruar aftësitë e saj kombëtare.

“Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të ushtrojë presion për të ndalur këto sulme dhe për të respektuar sovranitetin e kombeve”, theksuan ata.

Samiti i 34-të i Ligës Arabe filloi në Bagdad, me luftën e Izraelit ndaj Gazës që dominonte bisedimet përveç çështjeve të tjera rajonale. Ky është samiti i katërt i Irakut dhe i pari që nga viti 2012.

MARKETING