Sabriu: Me këtë ritëm reformash, po ndërtojmë një Maqedoni të Veriut më të drejtë, më humane dhe më të barabartë

Sot jemi këtu për të ndarë me ju një pasqyrë të një viti të jashtëzakonshëm pune, përkushtimi dhe përmbysjeje të pritshmërive në fushën e mbrojtjes sociale, një ndër shtyllat themelore të vizionit tonë për një shoqëri më të drejtë dhe më humane.
VLEN, si pjesë e Qeverisë, ka dëshmuar se ndryshimi i premtuar nuk është vetëm slogan, por realitet i prekshëm për mijëra qytetarë. Me qasje transparente, gjithëpërfshirëse dhe të bazuar në nevojat reale të njerëzve, kemi realizuar reforma që për vite të tëra kanë mbetur të bllokuara, apo janë injoruar nga qeveritë e mëparshme.
Gjatë vitit të kaluar, janë investuar mbi 80 milionë denarë në muaj për shërbime sociale – një rekord absolut për vendin tonë. Janë nënshkruar 84 kontrata me komuna dhe ofrues të shërbimeve sociale, më shumë se dyfishi i atyre që janë realizuar në të kaluarën.
Kemi përfunduar 26 grante të reja me komunat për zhvillimin e shërbimeve që prekin jetën e përditshme të qytetarëve: kujdes në shtëpi, qendra ditore dhe mbështetje për grupet më të cenueshme.
Trashëguam një sistem të degraduar dhe të politizuar. Por ne ndërtuam një zgjidhje të re softuerike, për administrimin e integruar të të drejtave në para, shërbimeve sociale dhe autorizimeve publike. Tani, punonjësit socialë kanë një pasqyrë të plotë për çdo familje me vetëm një klikim.
Kemi zhbllokuar Projektin e Administrimit të Sigurimeve Sociale “SIAP”, i cili për 5 vite kishte realizim vetëm 9.92%. Vetëm brenda një viti të qeverisjes sonë, realizimi është rritur në 17.38%, dhe pritet të vazhdojë me ritme të përshpejtuara.
Për herë të parë, po ndërtojmë një sistem të unifikuar dhe të drejtë për vlerësimin e aftësisë së kufizuar, përmes krijimit të Organit Qendror Koordinues (CDCCU).
Gjithashtu, po krijojmë Regjistrin e parë Kombëtar për Personat me Aftësi të Kufizuara, për të garantuar planifikim më të drejtë dhe ndihmë më efikase.
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, në udhëheqje të VLEN, është bërë institucioni i parë me ueb-faqe plotësisht të qasshme për personat me aftësi të kufizuara, një hap i rëndësishëm drejt përfshirjes digjitale.
Po ashtu, jemi në proces të krijimit të një Platforme Kombëtare për personat e shurdhër dhe me vështirësi në dëgjim, për të garantuar qasje të barabartë në institucionet publike.
Në vitin e kaluar janë ndërtuar dhe pajisur 15 kopshte të reja, dhe deri në fund të vitit 2025, do të hapen edhe 11 të tjera, që do të akomodojnë mbi 1,100 fëmijë.
Në kuadër të Thirrjeve Publike për ndërtimin dhe rikonstruksionin e objekteve për fëmijë, në vitin 2024 janë financuar 4 projekte me mbi 250 milionë denarë, ndërsa në vitin 2025 janë planifikuar 6 projekte të reja me vlerë mbi 520 milionë denarë.
Një tjetër arritje madhore është rritja lineare e pensioneve për mbi 330.000 pensionistë, me nga 5.000 denarë, një rritje që ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e një grupi që shpesh ka qenë i margjinalizuar.
Të nderuar qytetarë,
VLEN ka dëshmuar se qeverisja me vizion, me zemër dhe me dije është e mundur. Ne jemi këtu për ta ndërtuar një shoqëri që nuk lë askënd pas as fëmijët, as të moshuarit, as të cenueshmit, as personat me aftësi të kufizuara.
Me këtë ritëm reformash, po ndërtojmë një Maqedoni të Veriut më të drejtë, më humane dhe më të barabartë.
Dhe ne nuk do të ndalemi.