Rutte: SHBA-ja është krejtësisht e përkushtuar karshi NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar të martën se aleatët evropianë nuk duhet të shqetësohen sa i përket përkushtimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj aleancës veri-atlantike, tek ka folur para samitit në Holandë, ku pritet të miratohet tavani i ri për shpenzimet e mbrojtjes, ka raportuar Reuters.
Samiti dyditor në Hagë ka për qëllim t’i dërgojë mesazh presidentit rus, Vladimir Putin, se NATO-ja është më e bashkuar se kurrë, përkundër kritikave të presidentit amerikan, Donald Trump, kundrejt anëtarëve të aleancës, dhe se është e gatshme që të përmirësojë mbrojtjen për ta parandaluar çdo sulm të mundshëm nga Moska.
MARKETING
“Presidenti amerikan dhe udhëheqësia e lartë amerikane janë plotësisht të përkushtuar ndaj NATO-s”, ka deklaruar Rutte para hapjes së samitit, duke shtuar se përkushtimi amerikan shoqërohet me pritshmëritë që vendet evropiane, si dhe Kanadaja, t’i rrisin shpenzimet në fushën e mbrojtjes.
Nga ana tjetër, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se planifikon të takohet me Trumpin në Hagë, ndonëse ai nuk do të marrë pjesë personalisht në samit. Sipas tij, ekipet e të dy liderëve po punojnë në detajet organizative dhe për kohën e takimit.