Rutte: NATO nuk është më pas Rusisë në prodhimin e municioneve
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha sot se Aleanca përmbysi një hendek të gjatë me Rusinë në prodhimin e municioneve, duke shtuar se tani aleatët prodhojnë më shumë sesa kanë prodhuar në dekada, transmeton Anadolu.
Duke folur në Forumin e Industrisë së NATO-s në Bukuresht, Rutte tha se “Deri vonë, Rusia prodhonte më shumë municione sesa të gjithë aleatët e NATO-s së bashku”, por shtoi se kjo nuk është më ashtu, pasi industritë perëndimore të mbrojtjes kanë rritur prodhimin.
“Në të gjithë Aleancën, ne tani po hapim dhjetëra linja të reja prodhimi dhe po zgjerojmë ato ekzistueset. Po prodhojmë më shumë sesa kemi bërë në dekada”, tha ai.
Rutte nënvizoi se një industri e fortë mbrojtëse është thelbësore për një aleancë të fortë dhe se vendimi i udhëheqësve të NATO-s në samitin e korrikut në Hagë për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 5 për qind të PBB-së deri në vitin 2035 po bën nxitje të madhe në prokurimin e aftësive, nga avionët dhe tanket te dronët, municionet, asetet kibernetike dhe hapësinore.
“Ka më shumë para në tavolinë. Edhe më shumë do të rrjedhin”, tha ai duke shtuar se aleatët evropianë dhe Kanadaja po rrisin ndjeshëm investimet.
“Por, sigurisht vetëm paratë në dorë nuk mund të ofrojnë siguri. Na duhen aftësitë, na duhen pajisjet, fuqia e vërtetë e zjarrit dhe sigurisht, teknologjia më e përparuar”, potencoi Rutte.
Shefi i NATO-s paralajmëroi se kërcënimi i supozuar nga Rusia do të vazhdojë përtej luftës në Ukrainë ndërsa theksoi bashkëpunimin në rritje të mbrojtjes midis Moskës, Kinës, Koresë së Veriut dhe Iranit.
“Nuk mund të jemi naivë. Duhet të jemi të përgatitur”, Rutte duke kërkuar bashkëpunim më të thellë dhe cikle prodhimi më të shpejta brenda Aleancës.

