Rusia shton Norvegjinë në listën e shteteve jomiqësore
Rusia ka shtuar Norvegjinë në listën e “shteteve jomiqësore”, duke pretenduar se ky shtet po i shënjestron diplomatët rusë jashtë shtetit.
Qeveria ruse e ka publikuar urdhrin të enjten, përmes së cilit e kufizon në 27 numrin e stafit lokal që mund ta angazhojë misioni diplomatik norvegjez në Rusi.
Ministria e Jashtme e Norvegjisë tha se ende nuk ka marrë informacion zyrtar nga autoritetet ruse, por që nuk ka bazë në deklarimin se Norvegjia është jomiqësore kundrejt Rusisë.
“Situata e sotshme është shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Vetë Rusia mund të zgjedhë t’i japë fund luftës”, shprehet ministrja e Jashtme norvegjeze, Anniken Huitfeldt.
Ajo ka shtuar se dy kombet, të cilat e ndajnë kufirin në Arktik, kanë interes për funksionim të marrëdhënieve diplomatike. Shtetet e Bashkuara dhe Republika Çeke janë shtuar në listën e vendeve jomiqësore ndaj Rusisë, në maj të vitit 2021, ndërsa Greqia, Danimarka, Sllovenia, Kroacia dhe Sllovakia, janë shtuar në korrik të vitit 2022.