Rusia pro armëpushimit mes Izraelit dhe Iranit: E mbështesim, por nuk e dimë nëse do zgjasë

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, deklaroi se Moska përkrah përpjekjet për një armëpushim midis Izraelit dhe Iranit, por paralajmëroi se situata është ende e paqartë dhe nuk mund të nxirren përfundime të plota në këtë fazë.
“Është tepër herët për të vlerësuar nëse marrëveshja do të jetë e qëndrueshme,” tha Lavrov në deklaratën e tij të parë pas shpalljes së armëpushimit nga presidenti amerikan Donald Trump.
Sipas Lavrovit, ka të dhëna që SHBA ka bindur Izraelin të pranojë një armëpushim pa afat të caktuar, ndërkohë që Katari ka pasur një rol të rëndësishëm në ndërmjetësimin e bisedimeve me Teheranin.
MARKETING
“Megjithatë, menjëherë pas lajmeve për arritjen e një marrëveshjeje, janë raportuar përplasje të reja mes forcave izraelite dhe iraniane, çka tregon se duhet të jemi të kujdesshëm në interpretimin e zhvillimeve, pasi informacioni që kemi është i pjesshëm,” shtoi ai.
Rusia, e cila nënshkroi një marrëveshje strategjike bashkëpunimi me Iranin në janar, ka kritikuar ashpër sulmet e Izraelit dhe SHBA-së kundër Iranit, duke i cilësuar ato si të paligjshme dhe të pajustifikueshme. Si kundërpërgjigje, Irani ka lëshuar sulme ndaj qyteteve izraelite dhe ka goditur një bazë ushtarake amerikane në Katar.