Rusia pretendon se ka marrë kontrollin e një vendbanimi në rajonin Sumy të Ukrainës

Rusia pretendon se ka marrë kontrollin e një vendbanimi në rajonin Sumy të Ukrainës

Rusia pretendoi se ka marrë kontrollin e një vendbanimi kufitar në rajonin Sumy, në verilindje të Ukrainës, transmeton Anadolu.

Sipas një deklarate të Ministrisë së Mbrojtjes, të publikuar në Telegram, forcat ruse pushtuan fshatin Hrabovske, i cili ndodhet rreth 51 kilometra në juglindje të qytetit Sumy.

Hrabovske kufizohet me vendbanimin Staroselye në rajonin kufitar rus të Belgorodit.

Të dielën, Viktor Trehubov, zëdhënës ushtarak ukrainas, pretendoi se forcat ruse po e minojnë nga distanca fshatin kufitar për t’i parandaluar kundërsulmet ukrainase.

“Më duket se ata kishin planifikuar të shkonin më tej, ta sulmonin rajonin Sumy, por kjo nuk funksionoi. Kjo është arsyeja pse po krijojnë një post kaq të vogël nga Hrabovske”, tha Trehubov për transmetuesin publik të Ukrainës, Suspilne.

Në fund të dhjetorit, duke cituar Drejtorinë Kryesore të Komunikimeve të Forcave të Armatosura të Ukrainës, agjencia shtetërore e lajmeve Ukrinform raportoi se forcat ruse kaluan në rajonin Sumy pranë Hrabovskes, çka bëri që trupat ukrainase të tërhiqeshin nga disa pozicione aty pranë.

Ai pretendoi se trupat ruse hynë në fshatin kufitar dhe dërguan më shumë se 50 persona në Rusi. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy më vonë tha se 13 prej tyre ishin ushtarakë ukrainas.

Avokati i popullit i Ukrainës, Dmytro Lubinets, e riafirmoi gjithashtu pretendimin në një deklaratë të veçantë, duke thënë se i kishte kërkuar homologes së tij ruse, Tatyana Moskalkova, informacion mbi këtë çështje dhe se i kishte dërguar gjithashtu një letër Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

As autoritetet ruse dhe as ato ukrainase nuk kanë komentuar mbi pretendimet e ndërsjella, ndërsa verifikimi i pavarur i tyre është i vështirë për shkak të luftës që ka vazhduar për gati katër vjet.

MARKETING