Rusia përgatit evakuimin përfundimtar të stafit nga centrali bërthamor në Bushehr të Iranit
MARKETING
Rusia po përgatit valën e fundit të evakuimit nga centrali bërthamor i Bushehrit në Iran, me më shumë se 200 persona që pritet të largohen javën e ardhshme, tha kreu i korporatës shtetërore bërthamore Rosatom.
MARKETING
Duke folur në një konferencë për mediat në Shën Petersburg të enjten, Alexey Likhachev e përshkroi evakuimin si një përparësi për kompaninë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Detyra jonë kryesore tani është të përgatisim valën e fundit të evakuimit. Kjo do të përfshijë më shumë se 200 persona. Ne presim që të ndodhë javën e ardhshme. Për arsye të ndryshme, nuk mund të zbuloj as kohën dhe as rrugët”, tha ai.
Likhachev theksoi se Rosatom po koordinon përpjekjet me ministritë e mbrojtjes dhe të jashtme dhe po informon rregullisht presidentin Vladimir Putin mbi zhvillimet.
“Ai (Putin) është në dijeni të hollësishme – për numrat, rrugët, kohën – për arritjet tona në këtë fushë dhe për planet tona”, ka shtuar ai.
Ai shtoi se Njësia 1 e centralit të Bushehrit mbetet funksionale, me disa dhjetëra personel rus ende në vend.
“Ne duhet të ruajmë aftësinë operacionale si të vendit të ndërtimit ashtu edhe të zonës së banimit, dhe sigurisht, t’u ofrojmë ndihmë partnerëve tanë iranianë në operimin e Njësisë 1, por këta do të jenë vullnetarë – një numër shumë i kufizuar njerëzish”, tha ai.
Likhachev nuk dha një afat kohor të saktë për operacionin.
“Shumë varet nga situata specifike ushtarako-politike në rajon. Çdo ngjarje mund ta vonojë ose ta përshpejtojë këtë evakuim. Por e përsëris, ne nuk po jetojmë me ditë tani – ne po jetojmë me orë në këtë zonë”, tha ai. /Telegrafi/

