Rusia: Perëndimi është përgjegjës për krimet e Ukrainës me dronë në territorin rus

Rusia: Perëndimi është përgjegjës për krimet e Ukrainës me dronë në territorin rus

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova tha se vendet perëndimore janë përgjegjëse për krimet që ushtria ukrainase ka kryer me sulmet e saj në territorin rus duke përdorur mjete ajrore pa pilot (dronë), transmeton Anadolu.

Ajo komentoi akuzat e vendeve perëndimore kundër Rusisë për shkeljen e hapësirës ajrore polake me dronë ushtarakë më 10 shtator. Duke theksuar se kjo është e pabazë, Zakharova tha se Perëndimi nuk është në favor të zbulimit të së vërtetës, po angazhohet në veprime provokuese dhe kërkon të përshkallëzojë tensionet.

Zakharova tërhoqi vëmendjen se Perëndimi furnizon Ukrainën me dronë, të cilët përdoren për të nisur sulme të vazhdueshme kundër civilëve dhe popullatës në territorin rus.

“Këtë verë dhe në fillim të shtatorit, 16 persona humbën jetën dhe 116 të tjerë u plagosën si pasojë e sulmeve në territorin rus nga Forcat e Armatosura të Ukrainës duke përdorur dronët e furnizuar. Qeveritë e këtyre vendeve (perëndimore) janë bashkëpunëtore në këto krime. Ato janë përgjegjëse për këto krime”, deklaroi Zakharova.

– Shkelja e hapësirës ajrore të Polonisë nga Rusia

Më 10 shtator, Polonia njoftoi se ka rrëzuar disa dronë që shkelën hapësirën e saj ajrore gjatë sulmeve të Rusisë ndaj objektivave në Ukrainë.

Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se ndaj objektivave ushtarake në Ukrainë janë kryer sulme intensive, por se objektet në Poloni nuk u shënjestruan.

Polonia më vonë njoftoi kufizime në trafikun ajror përgjatë kufijve të saj lindorë me Bjellorusinë dhe Ukrainën.

Për shkak të stërvitjes së përbashkët ushtarake “Perëndim-2025” të organizuar nga Rusia dhe Bjellorusia, më 12 shtator Polonia mbylli kufirin e saj me Bjellorusinë, përfshirë kalimet hekurudhore, deri në një njoftim të dytë.

MARKETING