Rusia nis dërgesat e drithërave në Afrikë
Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov ka bërë të ditur se tashmë ka filluar “puna praktike” për furnizimin me drithëra ruse në gjashtë vende afrikane, transmeton Anadolu.
Në një ngjarje të organizuar në Moskë, Lavrov tha se Burkina Faso, Republika e Afrikës Qendrore, Eritrea, Mali, Somalia dhe Zimbabve në muajt në vijim do të marrin nga 50 mijë tonë drithëra pa pagesë.
Ai tha se Rusia gjithashtu do të paguajë shpenzimet përkatëse.
Duke folur për Ukrainën, ministri rus tha se Arabia Saudite e informoi Moskën se takimi që u zhvillua më 5 dhe 6 gusht në Xheda ishte organizuar për t’u “përcjellë pjesëmarrësve perëndimorë dhe vetë Ukrainës idenë” se zgjidhja e paqes midis Moskës dhe Kievit nuk mund të vazhdojë përpara pa pjesëmarrjen e Rusisë.
Lavrov tha se Perëndimi do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën vetëm për aq kohë sa ishte në Afganistan, Irak dhe vende të tjera. Lidhur me Rusinë që kërkon të bëjë tregti në monedha të tjera përveç dollarit amerikan, Lavrov tha se SHBA-ja ka minuar pozicionin e monedhës duke e përdorur atë si armë.
Ai tha se nuk ka përvojë të mjaftueshme për të kaluar në ndonjë monedhë tjetër, por gradualisht, theksoi ai, procedurat standarde do të evoluojnë, sepse shumë vende janë të detyruara të kërkojnë një alternativë.
Konkretisht ai përmendi Unionin Ekonomik Euroaziatik (EAEU), duke theksuar se 90 për qind e qarkullimit tregtar të unionit në vitin 2023 do të jetë në monedha kombëtare.
Lavrov tha se Irani, Rusia, Türkiye dhe Siria vazhdojnë kontaktet për projekt-zbatimin e udhërrëfyesit për normalizimin e marrëdhënieve midis Damaskut dhe Ankarasë, që filloi në vitin 2022.
“Ne kemi miratuar një deklaratë që shpreh interesin tonë për të hartuar një udhërrëfyes për normalizimin midis Sirisë dhe Türkiye-s. Ne ia dorëzuam draftin e udhërrëfyesit të gjithë kolegëve tanë diku në muajin qershor. Kontaktet tani po vazhdojnë për ta sjellë atë në një gjendje përgjithësisht të pranueshme, kur tashmë të mund të ishte miratuar”, tha Lavrov.
Ai tha se Rusia i sugjeroi Ankarasë dhe Damaskut që të kthehen në marrëveshjen e Adanas të vitit 1998 për të trajtuar dallimet në lidhje me masat kundër terrorizmit.
“Mbështetja e paligjshme e SHBA-së për separatizmin kurd”, theksoi shefi i diplomacisë ruse, është një tjetër problem për normalizimin turko-sirian.