Rusia nënshkruan marrëveshje ndihme ushtarake me 40 vende afrikane
Rusia ka nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi ushtarak me më shumë se 40 vende afrikane, tha sot presidenti Vladimir Putin gjatë samitit në Shën Petersburg.
Shtetet afrikane do të merrnin një rang armatimesh dhe teknologjish, disa prej të cilave falas sipas marrëveshjes.
Përfaqësuesit e vendeve afrikane janë ftuar vazhdimisht të marrin pjesë në forume ushtarake të organizuara nga Rusia të lidhura me aspektet teknike të armatimeve dhe pajisjeve.
Putin shtonte se Rusia do të japë asistencën e saj që vendet “të çlirohen nga mbetjet e kolonializmit”.
Ai shtonte se Rusia do të vijojë të jetë një furnizues i besueshëm gruri për vendet e kontinentit.
Dje në samitin e Shën Petersburg kushtuar lidhjeve ruso-afrikane, Putin tha se Rusia pret të korra të mira drithërash këtë vit dhe është e gatshme të zëvendësojë eksportet e Ukrainës drejt Afrikës, si në bazë komerciale ashtu dhe ndihme, teksa shtonte se konsideronte privilegj rolin e Moskës në sigurinë botërore ushqimore.
“Ne jemi gati të furnizojmë Burkina Faso, Zimbabve, Mali, Somalia, republikën Qendrore Afrikane dhe Eritrean me 25 deri në 50,000 ton grurë falas, secilën, në tre katër muajt e ardhshëm”, tha Putin në samit ndaj së cilës pjesëmarrësit reaguan me duartrokitje.
Duke reaguar ndaj kritikave për tërheqjen nga marrëveshja e eksportit të grurit ukrainas në Detin e Zi, Putin përsëriti se Moska u largua prej saj sepse nuk kishte marrë asnjë përgjigje për premtimet e lehtësimit të eksportit të grurit e fertilizuesve rusë.