Rusia merr drejtimin e presidencës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së
Ditën e sotme, në atë që disa kritikë thonë se tingëllon më shumë si një shaka e 1 prillit sesa si realitet, Rusia merr presidencën e radhës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për këtë muaj.
Më 17 mars, Gjykata Penale Ndërkombëtare me bazë në Hagë lëshoi një urdhër arresti për udhëheqësin rus për rolin e tij në rrëmbimin dhe dërgimin e paligjshëm të mijëra fëmijëve ukrainas në Rusi.
“Unë mendoj se njerëzit po e shohin këtë nga një këndvështrim i gabuar. Mendoj se njerëzit duhet ta kuptojnë se ky muaj është më shumë një dhimbje koke sesa një avantazh për rusët”, tha për Zërin e Amerikës Richard Gowan, Drejtor i çështjeve të OKB-së në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.
“Nëse ata përpiqen të përdorin presidencën për të krijuar telashe për ukrainasit, ose për të përhapur rrëfimet e tyre për luftën, ata thjesht do të përballen me një numër të madh goditjesh”, shtoi ai.
Këshilli i Sigurimit, me 15 vende anëtare, është organi më i fuqishëm i OKB-së. Ai mund të marrë vendime për kryerjen e veprimeve ushtarake, dislokimin e paqeruajtësve, vendosjen e sanksioneve ndaj një vendi ose individi dhe mund të rekomandojë hetimin e rasteve të mundshme të krimeve të luftës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
Anëtarët e Këshillit të Sigurimit e marrin presidencën me rotacion, sipas rendit alfabetik (të bazuar në gjuhën angleze). Hera e fundit që Rusia kishte presidencën e radhës ishte shkurti i vitit 2022. Në ditën e 24-të të presidencës së saj, Presidenti Putin filloi të ashtuquajturin “operacion special ushtarak” në Ukrainë, duke kryer një shkelje flagrante të Kartës së OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare.
Ruanda është i vetmi vend që ka humbur presidencën e radhës në vitin 1994 për shkak të gjenocidit në vend, sipas Raportit të Këshillit të Sigurimit, një institut që studion transparencën dhe efektivitetin e këtij organi të OKB-së. Në atë kohë, Ruanda ishte një anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit. Në vend të Ruandës, Spanja mori presidencën e radhës.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre tha të enjten se një vend që “shkel në mënyrë flagrante Kartën e OKB-së” dhe sulmon fqinjin e tij nuk ka vend në Këshillin e Sigurimi, por nuk ka “asnjë rrugë të mundshme ligjore ndërkombëtare” për ta shmangur këtë.
Ukraina është e indinjuar që Rusia është në Këshillin e Sigurimit, dhe veçanërisht tani ka presidencën e radhës. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba tha se presidenca e Moskës është një “shaka e rëndë”.