Rusia konfirmon se një raund i dytë i bisedimeve me Ukrainën do të zhvillohet së shpejti

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov konfirmoi sot se një raund i dytë bisedimesh me Ukrainën do të mbahet së shpejti, raporton Anadolu.
MARKETING
Duke folur në një konferencë mbi Rusinë Jugore në Moskë, Lavrov tha se puna për një memorandum paqeje është duke vazhduar dhe tashmë ka arritur në “një fazë të avancuar” nga pala ruse.
Duke iu referuar raportimeve të medias që sugjerojnë Vatikanin si një vend të mundshëm për negociatat, Lavrov shprehu rezerva, duke thënë se do të ishte “e pakëndshme” për vetë Selinë e Shenjtë të priste delegacione nga dy vende ortodokse në rrethanat aktuale.
“Imagjinoni Vatikanin si një vend për negociata. Është mjaft e papërshtatshme, do të thoja, që kombet ortodokse të diskutojnë eliminimin e shkaqeve rrënjësore në një platformë katolike. Unë besoj se nuk do të ishte veçanërisht e përshtatshme as për Vatikanin”, tha ai.
Më 16 maj, Rusia dhe Ukraina rifilluan bisedimet e drejtpërdrejta të paqes në Stamboll pas një ndërprerjeje prej më shumë se tre vjetësh. Gjatë takimit, të dyja palët ranë dakord të shkëmbenin nga 1.000 të burgosur dhe të fillonin hartimin e një dokumenti që përshkruan kushtet për një armëpushim të mundshëm në konfliktin më shumë se trevjeçar.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pas një bisede dyorëshe me homologun rus Vladimir Putin të hënën, tha se Vatikani ka treguar interes për të pritur negociatat.